Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric, ka dalë në një konferencë për shtyp në prag të sfidës ndaj Skënderbeut, ku vlerësoi lojtarët e skuadrës korçare, ndërsa nga ana tjetër, 46-vjeçari ka pasur edhe një kundërpërgjigje për deklaratën e Ilir Dajës i cili pas ndeshjes së fundit me Vllazninë tha se shkodranët po vonin lojën duke fshehur edhe topat rreth fushës.
A është e vështirë të motivosh skuadrën kur luan ndaj Skënderbeut? “Ne jemi një ekip profesionist dhe është e nevojshme ta provojmë këtë sa herë që luajmë futboll. Ne duhet të vazhdojmë këtë trendin pozitiv të rezultateve dhe të përqendrohemi në gjërat thelbësore”.
Dy mungesa të rëndësishme, Krymi dhe Gurishta… Do të ndikojnë në performancën e skuadrës? “Mendoj se skuadra ka besim dhe e kam thënë disa herë se nuk kemi vetëm 11-lojtarë. Janë disa lojtarë që nesër do të kenë shansin të fillojnë nga fillimi, mezi e kanë pritur këtë mundësi. Tashmë, duhet të tregojnë se janë të aftë se e meritojnë të jenë pjesë e skuadrës”.
Skënderbeu nuk vlerësohet nga renditja? “Për mua Skënderbeu është një skuadër interesante, kanë lojtarë interesantë. Kanë zhvilluar ndeshje të mira dhe e dimë si të përballemi me këto skuadra. Nesër duam t’i mposhtim, nuk ka rëndësi si ata do të futen në fushë. Rëndësi ka ne të jemi të përqendruar dhe të shfaqim cilësitë tona në fushë”.
Kalendari i javës së 13-të, një mundësi e mirë që Vllaznia të afrohet me kreun? “Qëllimi jonë është të afrohemi me dy vendet e para, në të kaluarën e kemi humbur këtë mundësi. Por, nesër është një betejë tjetër, nuk do të nënvlerësojmë Skënderbeun. Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet dhe ne do të kërkojmë fitoren me patjetër”.
Deklarata e trajnerit të Partizanit, Dajës për fshehjen e topave jashtë fushës? “E kuptoj që ka qenë i nervozuar pas ndeshjes, por ky është një justifikim i ulët. Nuk dua t’i përgjigjem, duhet të jetë i fokusuar te ekipi i tij, edhe unë jam i përqendruar te ekipi im”, u shpreh Brdaric.