Brdariç i gëzohet vendit të parë të Vllaznisë: I kënaqur edhe me 2-0, por kemi shumë për të përmirësuar…

Shpërndaje

Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, theksoi se fitorja e sotme ishte e rëndësishme për skuadrën e tij dhe mëse e merituar, teksa kontrolloi plotësisht ndeshjen ndaj Skënderbeut.

“Fillimisht jam krenar për djemtë, për lojtarët, situatën ku jemi. Ne i meritonim tre pikët sot për shkak të një pjese të parë shumë të fortë. Një ndeshje thuajse perfekte dhe të mos harrojmë që ishte ndeshja e tretë në shtatë ditë. Në pjesën e dytë duhej të menaxhonim. Disa herë humbëm disa duele, një mënyrë loje që nuk na pëlqen. Kundër ekipeve të forta e përdorin si mundësi dhe mund të ndodhë që pësojmë. Normalisht donim edhe golin e tretë, por nuk ia dolëm. Por edhe me 2-0 jam i kënaqur.

Fitore e lehtë? Në ndeshjen e kaluar ndaj Tiranës, po fitonim 3-0 dhe dëgjova që Tirana ishte keq. Sot po fitonim 2-0. Ne nuk jemi Mançester Siti! Duam të shënojmë gola por padyshim mund të biem në pjesën e dytë, duam të ruajmë nivelin dhe të luajmë para. Ky është stili dhe ideja ime për futbollin. Por na duhen më shumë lojtarë që mbajnë këtë nivel. I kemi dhënë mundësi të luajnë disa lojtarëve, edhe sot disa të rinjve dhe ata duhet të meritojnë të jenë në fushë. I kemi analizuar të gjithë ndeshjet, çfarë mund të bëjmë më mirë, sidomos në dy të fundit mund të bëjmë shumë gjëra më mirë. Por futbolli është për tre pikët dhe në dy ndeshjet e fundit me 6 pikë, tregon që kemi bërë shumë gjëra mirë.

Ne bëmë futboll të bukur, u treguam guximtare, me vrapime e kombinime. Ky është objektivi ynë, të krijojmë mundësi shënimi, raste e presing sa më të mirë. Nuk mund ta mbajmë gjatë 90 minutave intensitetin e presingut, kjo është ajo ku sakrifikojmë pak. Ndaj duhet të punojmë shumë se sezoni është shumë i gjatë dhe kemi shumë gjëra për të bërë. Ndoshta shpeshherë duket e lehtë, por ne jemi me raste nën tension, duam të fitojmë çdo ndeshje,

Juriç dhe Stojanoviç, dy lojtarë me eksperiencë, nuk kishin mundësitë të luanin sot dhe me stafin menduam për zgjidhjen më të mirë për të kompensuar situatën. Folëm me djemtë, të gjithë morën përgjegjësitë, di që edhe Sala bëri mirë. Krymi e dimë që është një lojtar inteligjent, me një vizion të mirë për të fituar topin, për të fituar duele. Edhe Gurishta në krah, çdo gjë që bëmë ndryshime na funksionoi sot”, tha Brdariç për RTSH pas ndeshjes.

PANORAMASPORT.AL

Shpërndaje