Brazili merr një fitore të madhe 1-0 ndaj Zvicrës dhe siguron kualifikimin për në fazën tjetër. Edhe pse pa Neymar, skuadra e Tite dominon në lojë dhe raste.
Pjesa e parë nuk kishte shumë emocione. Mundësinë më të mirë e kishte Selecao në minutën e 27-të. Rafinha jep një krosim të bukur në zonë, atje ku Vinicius nuk arrin ta godas shumë mirë topin, duke bërë që Sommer ta kuptojë dhe ta presë.
Në vendin e Neymar, të dëmtuar, u aktivizua Paqueta, duke bërë një paraqitje të mirë. Në fundin e pjesës së parë për shumë pak sekonda ikën dhe dritat, një episod që shkaktoi dhe pak humor.
Brazili vijoi lojën e mirë dhe në pjesën e dytë, ku do të gjente golin me Vinicius Junior, i cili shënoi përballë portierit, por arbitri e anuloi me VAR për shkak të një pozicioni jashtë loje të Richarlison.
Gjithsesi goli do të vinte 7 minuta nga fundi, por këtë herë i rregullt. Në minutën e 83-të, pas një aksioni të bukur Rodrygo jep një pasim për Casemiron, i cili shënon një super gol me një goditje fluturimthi.