Braktisi 9- vjeçarin në Francë / Procedohet penalisht 50- vjeçari, kaloi nga Muriqani dhe u kthye pa djalin…

Shpërndaje

Një 50 vjeçar është proceduar penalisht nga policia. Sipas policisë së Shkodrës, 50 vjeçari braktisi në Francë djalin e tij të mitur, me qëllim që të kërkonte azil në këtës shtet.

Ky shtetas, më datë 22.01.2020, ka kaluar kufirin në PKK Muriqan, bashkë me djalin e tij të mitur, me autorizimin përkatës nga nëna e djalit, dhe më datë 09.01.2023, është kthyer në Shqipëri, pa djalin e tyre. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas e ka braktisur djalin e tij 9 vjeç, në Francë, me qëllim azilkërkimin.    

Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. F., 50 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.   

Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjitha pikat e kalimit, për dokumentacionin, si dhe intervistimet për përmbushjen e kushteve për lëvizjen drejt vendeve të BE-së apo vendeve të tjera, për të gjithë qytetarët. 

Gjithashtu, do të vijojë bashkëpunimi i ngushtë me homologët e të gjitha vendeve të hapësirës SCHENGEN e më gjerë, për verifikimin, identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të të gjithë atyre që braktisin të miturit, për qëllime azilkërkimi.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët të mos ndërmarrin asnjë veprim që ka si qëllim azilkërkimin, pasi shanset për të fituar atë janë zero. Policia e Shtetit është e vendosur për të ndëshkuar ligjërisht të gjitha rastet e braktisjes së fëmijëve të mitur, jashtë vendit, me qëllim azilkërkimin.

Shpërndaje