Pa kaluar 24 orë, Bordi i Transparencës është mbledhur sërish duke përcaktuar çmimet e reja të naftës, benzinës dhe karburantit. Kështu, duke filluar nga sot ora 18:00, nafta do të shitet me 7 lekë më shumë.
Nga 226 Lekë/litri që u shit një ditë më parë, sot nafta do të kushtojë 233 lekë për litër. Rritje ka pësuar edhe benzina, po me 7 lekë. Që do të thotë nga 206 lekë që ishte benzina, sot do të shitet me 213 Lekë/litri. Ndërkohë gazi, do të kushtojë 1 lekë më shumë, 104 Lekë /litri. Sa i përket çmimit të shitjes së gazit për konsumatorët familjarë, ai nuk duhet të përfshijë akcizën.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë, në të kundërtën do të ndëshkohet duke nisur nga gjoba nga 2 mln lekë për ato që tregojnë me pakicë deri në 10 mln lekë për shumicën, por edhe heqja license nëse shkelja është e përsëritur.
Bordi i Administrimit të Karburanteve u ngrit pikërisht për të bërë transparent lëvizjen e çmimit të naftës në bursë e ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe shmangien e abuzimeve brenda tregut tonë me karburantet.
Anëtarët e Bordit Kombëtar të Administrimit të Karburanteve
Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj
Drejtori i drejtorisë së Tatimeve, Ceno Klosi
Drejtori i drejtorisë së Doganave, Gent Gazheli
5 përfaqësues nga shoqërite e hidrokarbureve të cilat kanë xhiron vjetore më të lartë në vitin paraardhës
Njoftimi i plotë
Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 27 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare. Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, Bordi vendosi: Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 27.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
· 221 Lekë/litri për gazoilin;
· 201 Lekë/litri për benzinën;
· 92 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.
Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 27.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
· 233 Lekë/litri për gazoilin;
· 213 Lekë/litri për benzinën;
· 104 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën). Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 27.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë. Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim”.