Blerjet e valutës nga bankat kthejnë euron sipër 100 lekëve…

Shpërndaje

Euro ka vijuar rritjen në kursin e këmbimit me lekun edhe ditën e enjte. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 100.06 lekë, në rritje të mëtejshme me 0.35 lekë krahasuar me ditën e mërkurë. Në harkun e një jave, euro është rritur me më shumë se 1.8 lekë ose afërsisht 1.9%.

Kjo është hera e parë që nga fundi i muajit gusht që euro kthehet sipër nivelit të 100 lekëve.

Sipas burimeve nga tregu valutor, arsyeja kryesore që ka sjellë rritjen e fortë të euros në ditët e fundit janë blerjet në shuma të mëdha nga bankat, lidhur me konvertimin në euro të fitimit të vitit të kaluar.

Ashtu siç ka ndodhur edhe në raste të mëparshme, operacionet e shitjes ose blerjes së valutës nga bankat tregtare mund të sjellin luhatje afatshkurtra në kursin e këmbimit.

Për shkak të përmasave relativisht të vogla, tregu valutor shqiptar rezulton i brishtë dhe i ndjeshëm ndaj operacioneve të shitblerjes në shuma të mëdha të valutës. Megjithatë, në përgjithësi këto luhatje amortizohen shpejt nga tregu dhe në afate kohore relativisht të shkurtra kursi i këmbimit i kthehet ekuilibrave të mëparshëm.

“Shkundja” që tregu ka marrë nga blerjet banka sidoqoftë e ka lëvizur për momentin tregun valutor dhe ringritur përkohësisht euron sipër 100 lekëve. Forcimi i euros është përcjellë edhe në kursin e valutave të tjera të huaja, që këtë javë janë të gjitha në rritje dhe pranë niveleve më të larta të shënuara për vitin 2025./Monitor/

Shpërndaje