IKMT do të nisë së shpejti shembjen e ndërtimeve që nuk legalizohen. Lajmi u bë me dije nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili u dha ultimatum drejtuesve të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ndërsa po vijon operacioni “Bregdeti Ynë” për shembjen e ndërtimeve pa leje.
Çuçi tha gjatë një deklarate për mediet se kontrolli i territorit është një ndër prioritetet kryesore të qeverisë, ndaj sipas tij do të investohet edhe në pajisje të teknologjisë së lartë.
“IKMT është një nga agjencitë më të rëndësishme. Jo më kot e kaluam në varësi të Ministrisë së Brendshme sepse duam një strukturë shumë të fortë reaguese në terren për të kontrolluar territorin nga ndërtimet pa leje dhe dëmtimi i mjedisit. Duhet të vijoni sa më shpejt me shembjen e objekteve që janë skualifikuar nga procesi i legalizimit”, u shpreh Çuçi.