Biznesi kundër rritjes së pagës minimale: Nuk jemi konsultuar, shtohen kostot, do shkurtojmë punonjësit

Shpërndaje

Biznesi e konsideron arbitrar dhe të pakonsultuar vendimin për rritjen e pagës minimale në 30 mijë lekë në janar të 2021. Flori Zekja përfaqësues i Shoqatës së Fasonëve tha se vendimi do të ndikojë edhe te punësimi.

“Është rritje artificiale. Më e rëndësishme për sektorin fason është bërja e reformës për kategorizimin e punëtorëve. Duhet të behet një kategorizim për profesionet.  Rritja e pagës minimale do të ndikojë në momarrjen  e punonjësve të rinj. Nuk do të marr punëtor të ri, pasi nuk mund ta paguaj 30 mijë lekë pa eksperiencë”, tha Zekja.

Rritja e rrogës minimale do të shtojë kostot edhe për industrinë e prodhimit dhe eksportit dhe do të ulë të ardhurat e punonjësve. Alban Zusi, President i Qendrës të Eksportuesve Shqiptarë  tha për “Monitor” se nëse  rritja bëhet për efekte sociale, qeveria të kompensojë njerëzit me paga të ulëta, pa rritur kostot e biznesit.

“Në përgjithësi jam për të mos pasur ndërhyrje administrative në ekonominë e tregut, sepse në momentin që i përcakton pagat, qoftë edhe atë minimale, shteti ka ndërhyrë në treg.

Në kuadrin e një veprimi social mund të bëhet, por do të duhet të bëhet duke iu hequr detyrimin kësaj kategorie që të paguajë tatimin për të ardhurat.  Të rritet fasha e pagave me tatim zero, të hiqet tatimi mbi të ardhurat për rrogat deri në 50 mijë lekë.  Kjo do të krijonte ekuilibër  të biznesi me qëllim që të mos rriten kostot.

Nëse rriten kostot e biznesit, bëhet më pak konkurrues, nuk hapen vende të reja të punës, ka më pak investime”, shprehet Zusi.

Kreu i Shoqatës të Eksportuesve Shqiptarë thotë se rritja e rrogës minimale shton kostot për punonjësit me rroga të ulëta.

“Ata që nuk kanë rentabilitet në punë, pra që nuk e kapin me punën e tyre rrogën 30 mijë lekë ka mundësi që të shkurtohen nga puna. Shton kostot te fasha e punëtorëve më rroga të ulëta. Rrit kostot e biznesit, në të njëtën kohë ul edhe të ardhurat e punonjësit, pasi duket sikur po ia rrit, por një pjesë e sigurimit shoqëror që do ta paguajë punonjësi do të rritet.”

Si do ndryshojnë kontributet dhe sigurimet shëndetësore

Kryeministri Rama tha më herët se në vitin 2021 paga minimale do të rritet 4 mijë lekë, pra do të jetë 30 mijë lekë. Rritja do të jetë rreth 15%.

Rritja e pagës minimale deri 30 mijë lekë do të vazhdojë të mbajë të paprekur këtë kategori nga tatimi mbi të ardhurat. Tatim mbi të ardhurat për rrogat deri në 30 mijë lekë është zero.

Rritja e pagës minimale do të rrisë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Me rrogën minimale 26 mijë lekë në total paguhen 7,254 lekë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Pagesat e kontributeve të detyrueshme dhe sigurime shëndetësore llogariten 27.9 % pagës. Nga kjo shumë, 24.5 për qind paguhen për sigurime shoqërore, si sigurime për sëmundje, barrëlindje, pensione, aksidente dhe papunësie. Pjesa tjetër prej 3.4 për qind është për sigurime shëndetësore.

Me pagën e re minimale do të paguhen 8.370 lekë kontribute apo 1.116 lekë më shumë.

Rritja e pagës maksimale

Rritja e rrogës minimale nënkupton edhe rritjen e pagës minimale. Në 2019 rroga maksimale në shkallë vendi u rrit 8.3%, duke shkuar në 114,670 lekë, nga 105,850 lekë që ishte më parë, me një rritje prej 8.820 lekë.

Sipas ligjit rroga maksimale rritet në të njëjtat nivele si paga minimale. Nga ndryshimet do të preken edhe rrogat maksimale. Nëse rritja e pagës minimale do të jetë rreth 15 për qind, rroga maksimale do të jetë 131,870 lekë.

Shpërndaje