Pavarësisht se u bënë disa muaj nga nisja e një fushate kontrollesh në terren për bizneset në kuadër të antiinformalitetit duket se ende pjesa më e madhe e tyre mbeten të pandërgjegjësuar.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raportoi se nga 1318 kontrolle të ushtruara në periudhën 2-22 janar të paktën 665 biznese u gjetën me shkelje të legjislacionit tatimor. Nga këto 39 subjekte ishin të paregjistruara kurse 174 tatimpagues janë penlizuar për shkeljen e mos lëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë). Tre subjekte janë kosntatuar si përsëritës të moslëshimit të kuponit e për pasojë janë bllokuar.
Tatimet raportuan se 71 tatimpagues rezultuan me punonjës të padeklaruar, nga të cilët 56 subjekte “biznes i vogël” dhe 15 subjekte “biznes i madh”. Po kështu 17 tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale dhe 25 tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune. Të dhënat treguan se 146 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor.
Në verën e kaluar qeveria nisi një plan operacional kundër informalitetit. Në fokus u vendosën bizneset e mëdha, ato të akcizës kryesisht karburantet, hoteleria ndërkohë që edhe sektorë specifikë si ndërtimi. Kryesisht fokusi ishte tek lëshimi i kuponit, deklarimi i punonjësve di dhe elementë të tjerë të zbatimit të kuadrit ligjor tatimor apo doganor.