Bindja’ e Patozit prezanton koordinatorin për Shkodrën dhe Lezhën Tonin Uldedaj…

Shpërndaje

Tonin Uldedaj, do të jetë koordinatori i Bindjes Demokratike për Shkodrën dhe Lezhën. Lajmin e jep kreu Astrit Patozi, i cili shkruan se Bordi Drejtues i Bindjes e mori me unanimitet vendimin, pas një mbledhje që është mbajtur sot.

Pas marrjes së emërimit, Uldedaj u shpreh se dy qarqet ku ai do të jetë koordinator njihen si bastione të demokracisë dhe patjetër që do Bindja do të ketë mandat të sajin.

“Dua të falënderoj kryetarin e partisë Bindja Demokratike, zotin Patozi, për mundësinë dhe besimin njëkohësisht, që të përfaqësojmë një parti të djathtë në dy qarqe kryesore të vendit. Në fakt, janë dy qarqe që njihen si bastione të demokracisë në Shqipëri, Shkodra dhe Lezha.

Unë i them kryetarit që këtë besim do ta përkthejmë në mandat, edhe për këtë jam mëse i sigurt. Këtë e bazoj te pjesa që kemi më tepër se 15 vite që kontribuojmë dhe i njohim mirë ato zona, sepse ne kemi investuar atje. Mendimi im është që në demokraci njerëzit të kenë mundësi të zgjedhin, pra demokratëve dhe të djathtëve në këto zona ne do t’u japim një mundësi  tjetër për të zgjedhur dhe kjo besoj se është demokracia e vërtetë”, është shprehur Tonin Uldedaj.

Kush është Tonin Uldedaj

Zoti Uldedaj është ekonomist i lartë dhe figurë shumë e njohur politike në zonat, që është caktuar të mbulojë, me një eksperiencë të pasur në administratën publike dhe në biznesin privat. Pas vitit 1991 ka qenë përgjegjës sektori në Ndërmarrjen e Peshkimit në Shkodër.

Për katër vjet ai ka ushtruar detyrën e kryetarit të njësisë administrative Shëngjin, ndërsa për 8 vjet me radhë ka qenë kryetar i këshilltarëve të opozitës në Bashkinë e Lezhës.

Më herët ai ka ushtruar edhe detyrën e nënkryetarit të këshillit bashkiak të Lezhës, si dhe ka qenë për 8 vjet me radhë kryetar  bordit të ujësjellës kanalizimeve në atë qytet. Po kështu ai ka qenë për 6 vjet nënkryetar, 4 vjet sekretar, dhe mbi 12 vjet anëtar kryesie i degës së Partisë Demokratike të Lezhës.

Shpërndaje