Bien blerjet në Shkodër, rritje e lehtë e çmimeve në treg

Shpërndaje

Fundviti ka sjellë një rritje të çmimeve të fruta-perimeve edhe në qytetin e Shkodrës. Një gjë e tillë pranohet dhe nga tregtarët por më alarmante është situata për shkak të mungesës së fuqisë blerëse.

“Ka ra çdo gjë. Lekë s’ka, shikoje vet popullin këtu, janë 65 vende dhe nuk vjen asnjë njeri brenda. S’ka! Krejt tregu i lirë, çmimet nuk janë rritur por njerëz nuk ka”, thotë një shitës.

Aktualisht në Shkodër ka një rritje të lehtë të çmimeve që më së shumti ndjehet nga mosha e tretë për shkak të pensioneve të ulëta.

“Për çmimet flitet tash sa kohë këshu që s’po kemi ndonjë gjë të re në këtë moment. Janë të shtrenjta…Çfarë të them si koha”, thotë një qytetar.

“Unë jam mjeshtër i madh i sportit, 48 vjet sportist dhe trajner në Shqipëri. Ama të fitosh titullin mjeshtër i madh në Shqipëri dhe të marrësh 178 mijë lekë të vjetra pension në muaj është vrasëse. Faleminderit fëmijëve tonë që punojnë në emigracion dhe na mbajnë”, thotë një tjetër.

“Me të ardhurat që kemi ne, ne jemi pensionistë dhe pak kemi të ardhura. Nuk janë shtrenjtuar shumë (çmimet), vetëm disa produkte pak”, tha një pensionist.

“Ne i përballojmë si çdo ditë, nuk është se do të shtojmë diçka më shumë tani në fundvit”, tha një qytetar.

Deri në ditët e fundit të vitit mbetet për t’u monitoruar nëse produktet e shportës ushqimore do pësojnë apo jo rritje të mëtejshme.

Shpërndaje