Berisha: Të dashur qytetare dhe qytetarë, të nderuar qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të shpresës dhe të ardhmes së Shqipërisë. Zonja dhe zotërinj, uragani juaj sonte është uragani i lirisë. Përshëndetjet më të përzemërta për ju që jeni mbledhur, keni mbushur sot Tiranën nga anekënd Shqipëria, nga të gjitha vendet e botës. Fitimtarë, fitimtarë, fitimtarë. Zonja dhe zotërinj, 20 shkurti është një ditë në të cilën shqiptarët kremtojnë ngadhënjimin e tyre.
Çdo vit më 20 shkurt kemi nderuar një ditë, e cila ndau historinë tonë. Ndau epokën e barbarisë së luftës së klasës, tiranisë së mjerimit dhe izolimit ekstrem nga epoka e triumfit të njerëzve më të shtypur të Europës dhe ndëshkimit mbarëpopullor pas vdekjes së Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore. Duke përmbysur në Tiranë shtatoren e tij, zvarritur e copëtuar në rrugët e kryeqytetit, nderim përjetë guximtarëve, trimave, heronjve të 20 shkurtit për veprën e tyre të pavdekshme.
Por sot, për herë të parënë 32 vite, ky 20 shkurt eklipson për nga rëndësia atë të vitit 1991 sepse sot nuk kemi përpara simbolet e një diktature të bazuar në doktrinën marksiste-leniniste, por përballemi me një lloj të re diktature, e cila bazohet në aleancën e pushtetit me krimin, në shndërrimin e votës në krim dhe krimit në votë, vjedhjen e lemerishme të qytetarëve nga pushtetarët dhe trafikun e qindra tonelatave drogë dhe narkoeuro.
Sot në sheshin Skënderbej ne nuk kemi shtatoren e bronzit të diktatorit stalinist, por para nesh qëndron shtatorja e gjallë e diktatorit Edi Rama, pasardhësit të bllokmenëve hoxhistë, që njëlloj si diktatori tjetër, ka përqendruar në duart e tij të gjitha pushtetet dhe që do një Shqipëri pa opozitë, dhe që vjedh qytetarët shqiptarë, vret shpresën e tyre më shumë se askush në historinë tonë kombëtarë. Gjatë sundimit 10-vjeçar të tij, si kurrë ndonjëherë më parë, 1 milion shqiptarë u larguan nga Shqipëria dhe integrimi evropian i vendit u shndërrua në një horizont që largohet çdo ditë e më shumë nga shqiptarët. Por sot kjo ditë, për ju, për shqiptarët, është ditë besimi dhe guximi.