“Grupi për PD” kërkon dorëheqjen e Bashës
Ish-kryeministri Sali Berisha nis sot turin e takimeve në bazë pas vendimit të kryetarit Lulzim Basha që e largoi atë nga grupi parlamentar.
Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha thotë se nisma e quajtur “Foltorja” bëhet për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur.
Sipas Berishës “Foltorja” do të jetë një bashkëbisedim me demokratët që nis në Tiranë dhe do udhëtojë në mbarë vendin.
Mësohet se takimit do t’i bashkohen demokratë të disa degëve të Tiranës, por edhe deputetë që e kanë kundërshtuar vendimin e kryetarit Basha.
Iniciativës së Berishës i është bashkuar edhe “Grupi për PD” pjesë e të cilit janë një sërë figurash të dala nga strukturat e Partisë Demokratike thotë se vendimi i Lulzim Bashës për të përjashtuar Sali Berishën është antistatutor.
“PD-ja e marrë peng duhet t’i kthehet demokratëve dhe anëtarësia e saj e gjerë dhe e pandikuar, e pakushtëzuar, duhet të vendosë mbi të ardhmen e saj. Dorëheqja ose largimi i Lulzim Bashës nga pozitat e Kryetarit në detyrë duhet të jetë akti i parë dhe i menjëhershëm drejt këtij reformimi.”
Sipas këtij grupi, Partia Demokratike duhet të ringrihet dhe reformohet si një parti e djathtë bashkëkohore, me një projekt të ri të bazuar në idealet e themelimit të saj.