
Aleanca “Shqipëria Madhështore”, e udhëhequr nga Partia Demokratike, hapi zyrtarisht fushatën elektorale këtë të premte nga sheshi “Nënë Tereza”, ku morën pjesë të rinj dhe përkrahës të opozitës. Në fjalën e tij, kreu i PD-së Sali Berisha falënderoi demokratët për mbështetjen dhe qëndrueshmërinë e tyre, ndërsa nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë aktuale.
Berisha theksoi se PD synon të vendosë ndër më të ulëtat taksa në Europë, për të nxitur zhvillimin dhe pasurimin e qytetarëve nëpërmjet punës së tyre. Ai premtoi një qeverisje që do të kthejë pasuritë natyrore në shërbim të të gjithë shqiptarëve, duke i shkëputur nga kontrolli i oligarkëve dhe qeverisë aktuale.
Motoja kryesore e fushatës, sipas tij, do të jetë “zero tolerancë ndaj korrupsionit”. Berisha deklaroi se lufta ndaj korrupsionit është thelbësore për të çliruar potencialin e të rinjve, për të garantuar sigurinë, dhe për të sjellë mirëqenie për qytetarët shqiptarë.