Pas një mbledhjeje të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që zgjati rreth 9 orë, Sali Berisha tha se kishte pasur propozime konstruktive. Sipas tij i vetmi që bënte kontrast me qëndrimet e deputetëve ishte Enkelejd Alieaj, që sipas ish-kryeministrit duke besuar se është kryetar i PD u përpoq në mënyra vulgare të manipulojë edhe grupin, por dështoi në çdo përpjekje.
“…Diskutime, sugjerime dhe analizim të të gjitha proceseve të ndodhura dhe përpjekjet e domosdoshme për konsolidimin e PD. Predominoi preokupimi i deputetëve për një proces gjithëpërfshirës, transparent. Mund t’ju them që kontrastonte me qëndrimet e të gjithë deputetëve, i vëtëshpalluri kryetar i PD (Alibeaj). Më shumë i vetëshpallur, se mund të të propozojë dikush, por kur ke mend në kokë e kupton që qesharak nuk mund të bëhesh. Duke besuar se është kryetar PD u përpoq në mënyra vulgare të manipulojë edhe grupin, por dështoi në çdo përpjekje”.
Berisha tha se e kishte njoftuar Alibeajn se nuk e gëzon më besimin e Komisionit të Rithemelimit për të qenë kryetar i grupit parlamentar.
“Pati propozime konstruktive, prej të cilave që nesër do të fillojë bashkëpunimi, mbikëqyrja, verifikimi. Pati ide mjaft racionale. Mund t’ju them se pas kaq orësh diskutime u pasurua shumë mendimi i PD për situatën e dhënë dhe natyrisht siç iu informova për shkak të qëndrimit tij, jo të fjalëve, ndaj PD, të padisë me urdhër të Edi Ramës, unë e njoftova se pushon së paturi besimin e Komisionit të Rithemelimit për të qenë në kryetar i grupit Parlamentar. Kjo e mërziti dhe më shumë, por realitetet janë jo gjithnjë të ëmbla. Ishte një mbledhje shumë e mirë, deputetët me një përgjegjësi absolute u përpoqën të japin çdo kontribut dhe hodhën poshtë çdo përpjekje për manipulim”.
Sipas Berishës, Alibeajn “S’e lë Rama me u tërheq. Nuk e kontrollon veten ai. Ai është në mision dhe do ta ndjekë fati i Bashës, unë nuk ia uroj, por problemi është se bën Bashën biss. Por harron një gjë që e vë veten në një pozitë shumë të papërshtatshme.”
Ndër të tjera, lideri historik i PD tha se është e pamundur që të shtyhet Kuvendi Kombëtar i parashikuar që të mbahet më 30 Prill.
“Kuvendi është i pamundur që të shtyhet sepse ka një konjekturë. Është një rrethanë kombëtare ndërkombëtare dhe nuk mund të shtyhet”, tha Berisha, ndërsa shtoi se, “deputetët e PD do të jenë anëtarë të Këshillit Kombëtar. Këta sa janë përfshi edhe Lulzim Bashën dhe Enkelejdin do të jenë anëtarë të Këshillit Kombëtar. Është në statut”.