Drejtuesi politik i PS në qarkun Shkodër, Ilir Beqaj tha se planet e qeverisë për Shkodrën janë shumë ambicioze që në fund do të sjellin një turizëm gjatë gjithë vitit që do të jetë për detin, malin dhe trashëgimin kulturore.
Nga Shkodra, gjatë prezantimit të kandidatëve nga kryeministri Rama, Beqaj tha se i është hapur rruga zgjidhjes së çështjes së pronësisë së tokës për t’i dhënë mundësinë njerëzve për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Zgjidhja e çështjes së pronësisë së tokës bashkuar me uljen e taksave do të ndihmojë fermerët në zhvillimin edhe më të madh të bujqësisë dhe blektorisë në Shkodër.
“Në këto zgjedhje ne jemi një skuadër e plotë. Besoj se drejtimet kryesore që duhet të zhvillohet Shkodra janë të tilla që kjo skuadër i plotëson. Ajo që duam të nxisim është turizmi i gjatë gjithë vitit, i detit, malit dhe trashëgimisë kulturore. Ato që kemi lexuar nëpër libra për vendet si Tamara, Vermoshi, Thethi etj, sot janë të prekshme. I kemi hapur rrugën e zgjidhjes së çështjes së pronësisë së tokës për t’i dhënë mundësinë njerëzve për të ndërtuar të ardhmen e tyre duke u mbështetur edhe me vendosjen e taksës zero për biznesin, rritjen e pagës, nafta pa akcizë etj. Malësia ka marrë një drejtim të vetin në drejtim të bujqësisë, por unë nuk jam ende i kënaqur me zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë këtu në Shkodër. Mbështetja e Fermerëve do të sjellë zhvillim më të madh të bujqësisë dhe blegtorisë. Shkodra është një qytet universitar dhe aty duhet të bëjmë më shumë. Unë e shoh universitetin pak të shkëputu nga jeta ekonomike dhe sociale e qytetit dhe plani ynë dhe reforma në arsimin e lartë do sjellë një bashkim të mirë të tyre”, tha Beqaj.