Benet Beci: Ekonomia e fortë krijon kulturë, por edhe kultura krijon ekonomi…

Shpërndaje

PROJEKTE STRATEGJIKE SHKODRA E KULTURES DHE TRASHEGIMISE KULTURORE

Trashëgimia e pasur kulturore është në zemër të identitetit të Shkodrës. Kur investojmë për trashëgiminë nxjerrim në pah kulturën tonë të pasur. Nga ana tjetër ne duam që Shkodra të kthehet në një qendër kombëtare të kulturës e për këtë arsye do të krijojmë të gjitha kushtet për lulëzimin e një kulture krijuese siç i ka hije Shkodrës. Ekonomia e fortë krijon kulturë, por edhe kultura krijon ekonomi.

Në programin tonë do të konsolidojmë dy pole kulturore për Shkodrën, të cilat do të jenë nga njëra anë forcim i krenarisë dhe identitetit tonë dhe nga ana tjetër forcimibi produktit turistik.

Poli i qendrës së qytetit përfshin një itinerar kulturor që zbulon pasuritë e jashtëzakonshme materiale e jomateriale të qytetit me muzetë dhe pikat e rëndësishme të qytetit si Teatri “Migjeni”, Muzeu Marubi, Muzeu etnografik, shtëpia e Oso Kukës , Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, Kulla e Inglizit etj.

Përveç këtyre atraksioneve publike, angazhohemi për të krijuar rrjetin e shtëpive të hapura ku do të mbështesim me grante falas nga bashkia e burime të tjera shtëpi të vjetra të familjeve shkodrane që mund të jenë të hapura në orare apo ditë të caktuara për vizitorët për të treguar copëza historie të mrekullueshme të qytetit.

Investime kryesore ne polin e qendrës së qytetit do të jenë:

– Rikonstruksion përfundimtar i Teatrit “Migjeni” dhe krijimi i një muzeu brenda tij si tribut për plejadën e jashtëzakonshëm që ka krijuar e sjellë ndër vite ky tempull, i vetmi në të gjithë veriun e Shqipërisë

– Rikonstruksion i muzeut historik-etnografik te shtëpia e Oso Kukës

– Mbështetje për dhjetë shtëpi të vjetra shkodrane, pjesë e rrjetit të shtëpive të hapura

– Konceptimi i muzeut të Kol Idromenos.

Poli i hyrjes së qytetit është poli i qytetit të vjetër me një grup atraksionesh të jashtëzakonshme kulturore e natyrore ku përfshihen Kalaja e Shkodrës dhe Muzeu Historik brenda saj, Muzeu i lundrimit, Muzeu i Liqenit “Foleja”.

Investime kryesore në polin e hyrjes së qytetit do të jenë:

– Rikonstruksioni i Muzeut Historik të Shkodrës në kala

– Muzeu i ri i lundrimit, një tribut i jashtëzakonshëm për historinë e lundrimit në liqen e Bunë dhe pazarit të Shkodrës

– Muzeu i ri i Liqenit “Foleja” në Shirokë si një vlerë e shtuar e atraksionit të liqenit, por dhe e mënyrës së jetesës.

Përveç ndërhyrjeve në infrastrukturë dhe investime për kulturën dhe institucionet e saj, rinovim e risi do të ketë edhe në menaxhimin e tyre, promovimin dhe patentimin e veprimtarive që zhvillohen në Shkodër. Për këtë arsye parashikoj ngritjen e një bordi këshillimor që ndikon në strategjinë e kulturës, turizmit dhe promovimit të qytetit, menaxhimin e institucioneve të varësisë, ashtu edhe në ngritjen e një fondi për mbështetjen e veprimtarive nga artistë të rinj e të pavarur.

#shkodrapozitive #shkodraepara

Shpërndaje