Beci: Bashkia Shkodër, mbështetje aktiviteteve me ndjeshmëri sociale…

Shpërndaje

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci priti në një takim  përfaqësuesit e Special Olympics Albania, një organizatë që ofron trajnime dhe gara sportive në një larmi sportesh të tipit olimpik, për fëmijë dhe të rritur me aftësi të kufizuara intelektuale.

Gjatë takimit, Beci tha se “ky projekt ka për qëllim inkurajimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale, por jo vetëm, të qëndrojnë të shëndetshëm dhe të ndërtojnë zakone të shëndetshme lidhur me aktivitetin fizik”.

Në takim u theksua gatishmëria e bashkisë Shkodër për mbështetjen e aktiviteteve të tilla me ndjeshmëri sociale, që vjen në një linjë me vizionin për një qytet “miqësor”.

Kryebashkiaku Beci theksoi domosdoshmërinë për të bashkëpunuar për aktivizimin e fëmijëve me aftësi të veçanta, për projekte të përbashkëta, që mbështesin krijimin e hapësirave sportive gjithëpërfshirëse, duke kombinuar edukimin sportiv, argëtimin, terapinë e sportit, ndërgjegjësimin, barazinë midis të ndryshmëve, promovimin e aktiviteteve sportive për shëndetin dhe mirëqenien, nxitjen e përfshirjes sociale dhe zhvillimin e kompetencave sociale.

Special Olympics Albania është një organizatë që synon të ofrojë trajnime dhe gara sportive gjatë gjithë vitit në një larmi sportesh të tipit olimpik për fëmijë dhe të rritur me aftësi të kufizuara intelektuale.

Përmes sporteve, njerëzve me aftësi të kufizuara intelektuale u jepen mundësi të zhvillojnë aftësi fizike, të krijojnë eksperienca, të përmirësojnë shëndetin e tyre dhe të integrohen me partnerët, familjet e tyre dhe komunitetin.

Shpërndaje