BE na mbyll derën sërish…

Shpërndaje

Bashkimi Evropian nuk do të hapë kufijtë e jashtëm për shtetasit e shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas 1 Korrikut. Përjashtim bëjnë vetëm shtetasit e Malit të Zi dhe Serbisë.

Vendimi është marrë nga mbledhja e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, pas më shumë se gjashtë orë mbledhje të zhvilluar në Bruksel.

Ata në fillim kanë miratuar kriteret që duhet të merren parasysh për të hequr kufizimet për hyrjen e shtetasve të huaj në territorin e BE-së, pastaj në bazë të këtyre kritereve, është përpiluar edhe lista në të cilën janë vetëm 15 shtete. Në shqyrtim janë marrë shifrat e ditëve të fundit të personave të prekur nga koronavirusi.

Dhe në bazë të tyre është vendosur që për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën kufizimet do të mbeten, edhe pas ditës së parë të Korrikut.

Një ditë më parë shtyrje të hapjes së kufirit për vendin tonë vendosi edhe Greqia. Sipas autoriteteve në Athinë janë shqetësuese shifrat e të infektuarve në Shqipëri, çka rrit rrezikun për shtim të përhapjes së virusit edhe në vendin fqinj. Pak ditë më parë autoritetet shëndetësore fajësuan Shqipërinë për disa prej rasteve të identifikuara në Greqi pasi ishin importuar nga vendi ynë.

Aktualisht në kufi mund të kalojnë vetëm ata që janë punonjës sezonalë dhe që marrin garanci nga punëdhënësi. Këtë vit edhe shifrat e atyre që duan të punojnë në Greqi për 3 muaj kanë rënë, kjo për shkak edhe të virusit.

Shpërndaje