BE hap kufijtë për udhëtarët plotësisht të vaksinuar, rregullat e reja miratohen të premten

Shpërndaje

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord këtë të mërkurë të rihapin kufijtë për të gjithë udhëtarët që janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit.

Gjatë takimit në Bruksel, diplomatët ranë dakord edhe për të rritur nivelin e rasteve të reja, para se një vend të shpallet i pasigurt, si një masë që do të hapte udhëtimin në BE nga më shumë vende.

Rekomandimet do të miratohen nga ministrat e BE-së të premten. Një zëdhënës i Komisionit të BE konfirmoi se diplomatët kishin miratuar përditësimin e rregullave të udhëtimit.

Që nga marsi i vitit 2020, udhëtimet jo-thelbësore në Bashkimin Europian me 27 anëtarë janë ndaluar, përveç një numri të vogël të vendeve që konsiderohen të sigurta, për shkak të shkallës së ulët të rasteve të Covid-19.

Diplomatët thanë se, sipas rregullave të reja, udhëtarët që mund të vërtetonin se kishin marrë numrin e duhur të dozave të një vaksine të miratuar nga Bashkimi Europian mund të hynin në bllok.

Përveç kësaj, numri i rasteve për 100 mijë banorë që një vend mund të regjistrojë gjatë dy javësh dhe të konsiderohet pjesë e listës së gjelbër do të rritet nga 24 në 75 raste.

Kjo do të përjashtonte udhëtarët e pa vaksinuar nga pjesa më e madhe e botës, por mund të lejonte udhëtime nga, për shembull, nga Britania, e cila ka përparuar shumë me fushatën e vaksinimit.

Pjesë  listës aktuale të gjelbër janë vetëm shtatë vende: Australia, Izraeli, Zelanda e Re, Ruanda, Singapori, Koreja e Jugut, Tajlanda.

Shtetet anëtare ranë gjithashtu dakord të krijojnë një mekanizëm të koordinuar emergjence për të pezulluar në kohë të shpejtë ardhjet nga vendet jo anëtare, nëse pa pritur goditet nga një variant i ri i koronavirusit./AFP

Shpërndaje