Pas 11 muaj mungesë, basketbolli shqiptar tashmë është gati për sezonin e ri 2020-2021, që për të rritur dhe për të rritura do të nisë më 27 shkurt. Me praninë e presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, por dhe të përfaqësuesve të klubeve Tirana, Partizani, Shoqata e Klubit Basketboll Tirana, Kamza Basket, Teuta, Goga Basket dhe Tirana Eagles është hedhur dhe shorti i kampionatit.
Gjashtë ekipe në Superligën e Meshkujve dhe gjashtë ekipe në Kategorinë e parë, atje ku bie në sy rikthimi i Dinamos, do të sfidohen në këtë edicion të vonuar. Është e sigurtë se cilësisht do të ketë edhe probleme në lojë, për shkak të një kohe të gjatë inaktiviteti dhe përgatitjeve të pakta. E megjithatë sfidat interesante shfaqen që në javën e parë, me një përplasje Teuta – Vllaznia e Goga Basket – Partizani.
Ndërkohë për femra do të jetë vetëm një kategori me 8 ekipe, ndërsa rikthehet Shoqata e Klubit Basketboll Tirana Femra, kurse Tirana e klubit do të jetë në emërtimin Tirana F 20. Që në javën e parë të femrave, spikat dueli Partizani – Flamurtari.
Ndërkohë edhe Kupa e Shqipërisë do të ketë një formulë më vete, ndërsa më parë do të luhet në grup me gjashtë skuadra, mundet të jetë dhe me sistem grumbullimi, atje ku dy të parat e çdo grupi kalojnë në gjysmëfinale. Për femra ekipi i gjashtë do të caktohet nëpërmjet një raundi paraeliminator mes Apolonisë, Shoqatës së Klubit Basketboll Tirana dhe Elbasani. Kështu basketbolli është gati, ndërsa fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë, i vetmi aktivitet që përfundoi për sezonin 2019-2020, janë Flamurtari për femra dhe Goga Basket për meshkuj.