Kongresi i Autoriteteve Lokale pas misionit monitorues në Shqipëri bëri një deklaratë të fortë jashtë gjuhës së zakonshme diplomatike të organizatave ndërkombëtare.
Misioni i tyre ishte mbledhja e fakteve mbi funksionimin e pushtetit vendor në Shqipëri dhe dolën me një qëndrim disi jo të zakonshëm, se nuk mund të ketë një demokraci të fortë në nivel qendror pa pasur më parë një demokraci funksionale në nivel lokal.
Deklarata e tyre përfshinte 31 bashki të vendit nga 61 në total, tek të cilat nuk pati asnjë rival për garuesit në procesin zgjedhor të 30 qershorit të vitit 2019. Tek ky numër futen edhe dy njësi vendore, të cilat rezultuan problematike me kandidatët, Shkodra dhe Vora ku dy kryetarët e zgjedhur u larguan për shkak të dekriminalizimit.
Por procesi zgjedhor i 30 qershorit 2019 vijon të reflektojë një përplasje të fortë institucionale në vend. Nga njëri krahë janë tri njësi vendore të cilat nuk kanë një kryetar, Shkodra, Vora dhe Durrësi, ndërsa në krahun tjetër është përplasja ndërmjet Kryeministrisë dhe Presidencës për plotësimin e këtyre vakancave.
Institucioni që dekreton datën e zgjedhjeve është Presidenti i Republikës, i cili nuk e njeh procesin zgjedhor të 30 qershorit, ndërsa përballë tij qëndron kryeministri Edi Rama që duket i vendosur për të mos u tërhequr nga rezultati i dalë nga zgjedhjet vendore.
Si çdo krizë politike shqiptare, zgjidhjen për këtë pritet ta japin sërish ndërkombëtarët, ku Kongresi i Autoriteteve Lokale pranë Këshillit të Europës duket se kanë dhënë sinjalet e para se si mund të zgjidhet kjo përplasje politiko-institucionale.
Presidenti i Kongresit, Anders Knape pohoi dje se “Nuk ka demokraci funksionale në nivelin kombëtar, pa një demokraci pluraliste dhe të gjallë në nivelin lokal”, duke iu referuar kështu zgjedhjeve të cunguara vendore të vitit 2019.
Gjithashtu Presidenti i Dhomës së Rajoneve, norvegjezi Helgesen u shpreh se “Për fat të keq, zgjedhjet e vitit 2019 nuk ishin të favorshme për forcimin e demokracisë lokale në Shqipëri, por kanë çuar në më pak pluralizëm në bashki dhe në një erozion të mëtejshëm të besimit të qytetarëve në institucionet e këtij vend”