Bashkia Shkodër ka marrë në administrim pronën publike në pronësi të saj, Kinema “Millennium”. Pas njoftimit publik të përsëritur që i është bërë subjektit që menaxhonte këtë objekt pa një kontratë ligjore prej 3 vitesh, bashkia Shkodër në datën 30 tetor, me shkresë zyrtare, ka njoftuar subjektin për lirimin vullnetar të objektit për nisjen e procedurave për marrjen në dorëzim ditën e sotme, 8 nëntor 2023, në orën 10.
Gjatë procedurës për kalimin në administrim të bashkisë Shkodër të kësaj prone publike, subjekti që menaxhonte “Kinema Milenium” 3 vjet pa një kontratë, ka pranuar që nuk kanë një të tillë por kërkojnë shkresën për të vijuar procesin.
Pavarësisht kësaj, Policia Bashkiake, në zbatim të ligjeve në fuqi, vendimeve dhe njoftimeve publike për subjektin, ka vijuar procesin për marrjen në administrim si pronë e bashkisë të këtij objekti në qendër të qytetit të Shkodrës.