Per miratimin e transferimit te Klubit të futbollit “Vllaznia” në shoqëri aksionare”, Bashkia Shkodër ka propozuar projekt vendimin për:
Dhënien e pëlqimit për shpalljen për shitje të 100% të aksioneve që Bashkia Shkodër zotëron si aksionere e vetme në Shoqërinë Klubi i Futbollit “Vllaznia”.
Çmimi minimal i shitjes së 100% të kuotave është 50,794,000 (pesëdhjetë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e katër mijë) Lekë.
Forma e shitjes së aksioneve që zotërohen nga Bashkia Shkodër në Shoqërinë Klubi i Futbollit “Vllaznia”, të bëhet nëpërmjet proçedurës konkurruese: Procedurë e Hapur Standard e Ankandit, sipas dokumenteve standarde tip të ankandit, bashkëngjitur këtij vendimi.
Proçedura e ankandit për shitjen e 100% të aksioneve, që zotëron Bashkia Shkodër, të nisë me vlerën 50,794,000 (pesëdhjetë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e katër mijë) lekë.
Arsyet kryesore për këtë investim:
Interesi për pjesmarrje të investimeve private në futboll është rritur në vitet e fundit me rritjen e të ardhuarve nga të drejtat televizive, reklamat, tifozëria, mediat, trofetë, sponsorizimet.
Eksperiencat dominuese tregojnë se investimet në klubet e futbollit, përveç synimit për rritjen e fitimeve dhe kapitaleve të aksionerëve, motivohen edhe qëllimin e përfshirjes sociale dhe kontributeve për komunitetin ku ushtrohet biznesi apo ka interesa të caktuara.
Ky investim në sportin e Futbollit është një rast unik në Shqipëri, sepse KF Vllaznia sh.a. i përket një qyteti që njihet si themelues të futbollit në Shqipëri dhe ka një histori suksesi rreth 100 vjeçare,
Tregu privat i futbollit është i ri dhe dinamik, ku klubet private po shënojnë rritje në cilësinë dhe treguesit financiarë të futbollit;
Federata Shqiptare e Futbollit ka përmirësuar dukshëm standardet dhe rregullat për zhvillimin dhe mbikqyrjen e sportit të futbollit.
Janë disa subjekte vendase dhe të huaja që kanë shprehur interesin për pjesëmarrje në investim, në rast të realizimit të procedurave të privatizimit të shoqërisë aksionere, duke u bërë indicie për fillimin e procedurës së shitjes.
Propozimi për realizimin e shitjes së shoqërisë tregëtare Klubi i Futbollit “Vllaznia” ka në referencë edhe ndryshimet e fundit ligjore, në ligjin Nr. 105/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”.
Në nenin 8 të këtij ligji janë miratuar ndryshimet në Nenin 22, “Kapitali shtetëror”, ku përcaktohet:
“Institucionet publike qendrore dhe vendore, që kanë në zotërim aksione të shoqërive tregtare sportive, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji i nxjerrin ato në shitje në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Për sa më sipër Bashkia Shkoder bën publik:
Relacionin dhe Projektvendimin – Për dhënien e pëlqimit për shitjen me ankand të aksioneve të Klubit të Futbollit “Vllaznia” sh.a në masën 100%