“Bashkë Fitojmë” hap nesër fushatën, Berisha: Kandidatët tanë janë në ngjitje…

Shpërndaje

Ish-kryeministri Sali Berisha ka ftuar qytetarët për hapjen e fushatës për zgjedhjet vendore, duke shprehur bindjen së do të jetë fitore si e 1992.

Berisha i cili është futur në një koalicion me Partinë e Lirisë së Ilir Metës, ka ftuar qytetarët që më 15 prill të jenë të pranishëm në festën e hapjes së fushatës elektorale të koalicionit “Bashkë Fitojmë’.

“Së pari, dëshiroj t’u drejtoj një thirrje të gjithë demokratëve të Shqipërisë, mbështetësve të PD-së, por edhe të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, të vijnë nesër në festën e hapjes së fushatës elektorale të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.

Kjo fushatë karakterizohet nga një frymë e shkëlqyer optimizmi dhe besimi në fitoren e njëjtë me atë të vitit 1992.

Ka një situatë të elektrizuar, të cilën unë e kam përjetuar vetëm në pranverën e vitit 1992”, tha Berisha.

Ish-kryeministri rrëzoi sondazhet e publikuara mbi rezultatet e mundshme të zgjedhjeve vendore të 14 majit, duke akuzuar kryeministrin Rama për falsifikimin e tyre.

“Ka disa ngjashmëri të tjera, në pollet e asaj kohe, më kujtohet si sot kur kompania më prestigjioze e botës në atë kohë, Gallup, nxori Partinë e Punës 22 pikë përpara PD-së.

Në një kohë kur më 22 mars, Partia e Punës me emër të ri, doli gjithsej me 20 përqind. Gallup, një kompani shumë serioze, mori një vendim: asnjë poll më në Shqipëri. Gjer sot, Gallup USA nuk ka bërë asnjë poll. Ajo që ka bërë poll është Gallup Bulgaria.

Unë besoj se Gallup në atë kohë i mashtroi me qëllim shifrat, por antena lokale që kishte përzgjedhur, e mashtroi në mënyrë të paskrupullet Gallup-in.

Edi Rama u ka dhënë kompanive të polleve, nga 1 milionë euro secilës për të falsifikuar rezultatet.

Por e vërteta është se edhe në këtë falsifikim, kandidatët tanë janë në ngjitje vertikale.

Ngjitja është vertikale kudo”, tha Berisha.

Hapja e fushatës zgjedhore do të bëhet nesër ora 12:00 në stadiumin “Air Albania”.

Shpërndaje