Basha në Shkodër: Ne kemi plan të qartë, Rama do ta kthejë Shqipërinë si Bangladeshi…

Shpërndaje

Nga Shkodra në një takim me përfaqësues të biznesit në fushën e përpunimit të drurit, kreu i Partisë Demokrati, Lulzim Basha theksoi se plani i tyre është i qartë për ta nxjerrë ekonominë nga kriza.

Basha tha se do të ketë taksa më të ulëta dhe mirëqënie për biznesin. Kreu i demokratëve shtoi se kryeministri Rama ka në plan ta kthejë Shqipërinë si Bangladeshi.

“Në Shkodër kam qenë rregullisht dhe një nga pjesët më të rëndësishme të vizitave kam konsideruar kontaktin me biznesin. Kam parë me sytë e mi gjendjen e mjerueshme ku ndodhet. Si gjithë Shqipëria, edhe Shkodra është në një krizë të thellë. Shkodra e ka përjetuar edhe më thellë për shkak të diskriminimit të këtij kryeministri.

Çfarë do të ndodhë nëse nuk ka ndryshim? Gjërat do shkojnë keq e më keq, biznesi do të vazhdojë të vuajë, kulturën e harbutrisë, gjobave. Zgjedhja është e qartë më 25 prill. Të Vazhdosh me këtë rrugë është të shkosh drejt greminës. Duhet ndryshuar një orë e më parë. thirrjen për ndryshim nuk e dëgjoj vetëm në Shkodër. Arsyeja pse vimë tek ju sot nuk është për të përsëritur hallet dhe problemet që i kemi diskutuar prej kohësh. Në bazë të këtyre problemeve që ka hequr sipërmarrja në tërësi dhe që është përcjellë edhe te punonjësit ne kemi hartuar një program me zgjidhje konkrete.

Lexo edhe: Thirrje “Rama ik”, Basha pritet me entuziazëm nga demokratët e Shkodrës

Nuk është një program mrekullish, nuk është seri premtimesh sepse ju jeni ngopur tetë vjet me premtime të pa mbajtura. Programi ynë synon ta bëjë Shqipërinë prapë konkuruese, prandaj taksa e sheshtë 9%, ulja e çmimit të karburantit, fashat e energjisë për biznesin dhe një klimë miqësore për biznesin. Me lekët që do të mbeten në xhepat tuaj me programin tonë do të jeni në gjendje të investoni, të hapni  vende të reja pune dhe të jeni në gjendje ti përgjigjeni kërkesës për paga më të mira. Kjo na bashkon të gjithëve.  Pjesë e planit tonë është edhe investimi. Plani ynë fiskal do të ulë taksat. Qasja jonë ndaj sipërmarrjes. Ju jeni shpresa për ta nxjerrë ekonominë nga kriza jo lopa për tu mjelë për xhepat e korruptuar.

Ai bredh nëpër Shqipëri duke treguar broçkulla dhe na thotë po e votuan në mandatin e tretë do të sjellë punëtorë nga Bangladeshi. Do ta bëjë Shqipërinë më keq se Bangladeshi. Në çdo aspekt Shqipëria do të fundoset. Jo punëtorë nga Bangladeshi por Shqipërinë si Bangladeshi. Po troket, mbylljani derën në fytyrë dhe të votojmë për ndryshimin”, theksoi kryedemokrati.

Basha kërkoi pjesëmarrje masive në votime më 25 prill, ndërsa shtoi se nëse nuk mban zotimet nuk do të kërkojë një mandat të dytë. 

Shpërndaje