Basha i prerë: Nuk ka kthim pas për përjashtimin e Berishës…

Shpërndaje

Jashtë selisë së Partisë Demokratike në një komunikim me gazetarët kryedemokrati Lulzim Basha është treguar i prerë sa i përket përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, duke deklaruar se nuk do të ketë asnjë kthim pas. Basha u shpreh se nuk ka asgjë për t’i shtuar asaj që ka thënë një javë më parë në lidhje me kontributin e Berishës por theksoi se aleanca e PD me SHBA duhet të mbetet e pacenueshme.

“77 votat e sotme janë formalizim i PPP-së, Rama Doshi Rakipi bashkë me kriminelët e dosjes 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër dhe Shijak. Janë fatkeqësia më e madhe për çdo shqiptar. Qëllimi i kësaj pakice është të pasurojnë veten e tyre dhe të mbajnë pushtetin në kurriz të shqiptarëve. Qëllimi ynë është të bëjmë çdo gjë për t’i larguar nga salla e parlamentit dhe për t’i kthyer shqiptarëve demokracinë.

Nuk kam asgjë për t’i shtuar asaj që kam deklaruar një javë më parë sa i përket kontributit të Berishës sa i përket demokracisë dhe aleancës me SHBA. Dua të jem i qartë. Aleanca e PD me SHBA duhet të mbetet e pacenueshme në interesin më të mirë të demokratëve shqiptarë dhe të së nesërmes të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për këtë arsye ne bashkë me shqiptarët që mezi po presin ndryshimin do bëjmë gjithçka për të realizuar aspiratën e tyre për ndryshim.Nuk ka kthim pas”, tha Basha.

Shpërndaje