
Rreth 60 banorë të zonës së Rrjollit në Velipojë kanë paralajmëruar bojkot të zgjedhjeve nëse asnjë përfaqësues i pushtetit vendor apo qendror nuk shkon për të zhvilluar një takim sqarues me ta.
Shkak për këtë qëndrim është një konflikt mbi pronësinë e një sipërfaqeje prej rreth 150 hektarësh, e ndodhur midis kënetës së Vilunit dhe zonës së njohur si “Rana e Hedhun”. Sipas banorëve, kjo tokë është përvetësuar nga një individ i identifikuar si Fatmir Shpellza, i cili pretendohet se ka lidhje të forta politike. Ata thonë se përvetësimi ka ndodhur ndërkohë që vetë ishin të përfshirë në procese gjyqësore për regjistrimin e pronave të tyre.
Banorët ngritin dyshime për mbivendosje pronash dhe falsifikim dokumentesh, duke fajësuar për këtë Shpellzën dhe dy gjyqtarë, Vojsava Osmanaj-Kola dhe Astrit Kalaja.