
Banka më e madhe në Turqi ka paraqitur zyrtarisht interes për të hapur degë edhe në Shqipëri. Nëse finalizohet, licencimi i Ziraat pritet të jetë i pari licencim i një banke të re tregtare në Shqipëri që prej vitit 2006. Pas një cikli disavjeçar konsolidimi dhe ulje të numrit të bankave aktive nga 16 në 11, në mënyrë të papritur numri i bankave mund të rritet përsëri.
Ersuin Shehu
Pas një procesi konsolidimi që nisi afërsisht një dekadë më parë, numri i bankave tregtare në Shqipëri mund të rritet përsëri. Sipas burimeve nga tregu, banka turke Ziraat Bank (Banka Bujqësore) ka shprehur zyrtarisht pranë Bankës së Shqipërisë interesin për të hyrë në tregun shqiptar, duke hapur fillimisht një degë të saj në vendin tonë.
Hyrja në treg e bankës turke do të ishte e para në gati 20 vjet, nëse përjashtojmë shitblerjet e bankave ekzistuese.
Licenca e fundit e dhënë nga Banka e Shqipërisë për hapjen e një banke të re tregtare në vend është dhënë në janar 2006, kur licencoi bankën me kapital vendas, Union Bank. Bankat e huaja, që kanë hyrë në tregun shqiptar në 25 vitet e fundit, kanë preferuar ta bëjnë këtë duke blerë banka ekzistuese në treg.
Ziraat Bank kryeson tregun bankar turk
Ziraat Bank e ka origjinën që në shekullin e 19-të, në epokën e Perandorisë Osmane. Ajo u themelua në vitin 1863, fillimisht si një fond kooperativë për financimin e bujqësisë, ndërsa në vitin 1888 u shndërrua zyrtarisht në bankë, me emrin që mban edhe sot, Ziraat.
Ziraat është bankë me kapital shtetëror turk. 100% e aksioneve zotërohen nga Fondi Turk i Pasurisë, fond publik në pronësi të shtetit të Turqisë.
Ziraat Bank është banka më e madhe në Turqi, ku mban afërsisht 16% të tregut, me asete totale për një vlerë prej më shumë se 141 miliardë USD. Në nivel grupi, duke përfshirë edhe bankat dhe shoqëritë e tjera të zotëruara prej saj, Ziraat raporton asete totale për më shumë se 155 miliardë USD.
Mbështetur në raportimin më të fundit, më 30 shtator 2024, përveç bankave dhe kompanive financiare në Turqi, Ziraat zotëron banka të kontrolluara prej saj në Gjermani, Rusi, Kazakistan, Uzbekistan, Gjeorgji, Azerbajxhan, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Banka turke është e pranishme me degët e saj (që nuk veprojnë si banka të ndara) edhe në Angli, Irak, Greqi, Bullgari, Kosovë, Arabinë Saudite, Qipron Turke, Bahrejn, ndërsa ka zyra përfaqësie edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Egjipt.
Hyrja në Shqipëri zgjeron praninë rajonale
Të dhënat e mësipërme tregojnë se Ziraat është e pranishme edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pas Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës, zgjerimi në Shqipëri duket si një hap i mëtejshëm në strategjinë e pranisë rajonale.
Ziraat Bank është e pranishme prej vitit 2015 edhe në tregun bankar të Kosovës, me pesë degë gjithsej. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Shoqata e Bankave të Kosovës, në fund të 9-mujorit 2024, Ziraat Bank zotëronte 1.8% të tregut të Kosovës, për një total aktivesh prej afërsisht 141 milionë eurosh.
Pjesa e Ziraat ishte pak më e lartë në tregun e kredisë, me 2% të portofolit total të sektorit bankar në Kosovë në fund të shtatorit 2024.
Nëse qëllimi për të hyrë në Shqipëri do të finalizohet, Ziraat do të bëhej banka e dytë me kapital turk në Shqipëri, pas bankës më të madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), zotëruar nga grupi turk i biznesit, Çalik. Megjithatë, ndryshe nga Çalik, Ziraat është një investitor institucional i specializuar në sektorin bankar.
Vendimi i Ziraat për të hyrë në Shqipëri, ndoshta jo rastësisht vjen në kulmin e një cikli të ri rritjeje të sektorit bankar në vend. Pas krizës së vitit 2009, që i shtriu efektet e veta për afërsisht një dekadë, sektori bankar shqiptar i është kthyer zgjerimit, i mbështetur nga rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë dhe nga përmirësimi i ndjeshëm i performancës financiare.
Duke qenë një bankë me kapital shtetëror, hyrja e Ziraat në Shqipëri mund të lexohet edhe në këndvështrimin e interesit gjeopolitik të Turqisë për të rikthyer influencën e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sektori bankar në cikël pozitiv
Sektori bankar në Shqipëri po kalon një cikël pozitiv, i karakterizuar nga zgjerimi i aktiveve, rritja dyshifrore e kreditimit dhe përfitueshmëri pranë niveleve më të larta historike.
Sipas statistikave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të shtatorit 2024, totali i aktiveve të sektorit arriti në 2.06 trilionë lekë. Vlera e aktiveve është rritur me 38% krahasuar me fundin e vitit 2019, përpara pandemisë.
Megjithatë, rritja është gërryer ndjeshëm nga efekti negativ i forcimit të Lekut në kursin e këmbimit. E zhveshur nga efekti i kursit të këmbimit, rritja e sektorit gjatë pesë viteve do të kishte qenë më shumë se 50%.
Portofoli i kredisë ka arritur vlerën e 788 miliardë lekëve, 43% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2019. Me bazë vjetore, rritja e kredisë në fund të 9-mujorit 2024 arriti në 12.4%, niveli më i lartë në më shumë se 15 vjet.
Zgjerimi i aktivitetit, përmirësimi i cilësisë së aktiveve dhe rritja e normave të interesit kanë sjellë edhe një përmirësim të ndjeshëm në treguesit e përfitueshmërisë së sektorit.
Shifrat e Shoqatës Shqiptare të Bankave, mbështetur në Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, treguan se për vitin 2023, kthimi mesatar nga kapitali i sektorit bankar arriti në afërsisht 21.7%, nga 21.7% që kishte qenë një vit më parë.
Të dhënat paraprake të 9-mujorit të parë tregojnë një rritje të mëtejshme të këtij treguesi, pranë nivelit të 30%. Megjithatë, në përgjithësi, ekziston konsensus se rritja e fortë e fitimeve në dy vitet e fundit është një rrjedhojë kalimtare e rritjes së shpejtë të normave të interesit në periudhën 2022-2023.
Por, që prej mesit të vitit 2024, bankat qendrore kanë nisur uljen e normave bazë të interesit dhe kjo ka filluar të reflektohet edhe në ecurinë e normave të interesit në tregje. Për këtë arsye, është e pritshme që përfitueshmëria e sektorit bankar të bjerë ndjeshëm gjatë vitit 2025.
Shqipëria ngelet ekonomi e nënkredituar
Megjithëse kreditimi i është kthyer rritjes me ritme dyshifrore, shifrat krahasuese tregojnë se Shqipëria ngelet ende ekonomia më pak e kredituar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas statistikave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në fund të vitit 2023, portofoli i kredisë në Shqipëri ishte sa 30.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), në rënie nga niveli prej 32.4% i vitit 2022.
Kredia në vlerë absolute është rritur me ritme të përshpejtuara në periudhën pas pandemisë, ajo nuk ka mbajtur dot ritmet e rimëkëmbjes së shpejtë ekonomike në periudhën pas pandemisë. Për këtë arsye, raporti i PBB-së ka pësuar rënie për të dytin vit radhazi në 2023.
Ekonomia me kreditimin më të lartë në rajon është Maqedonia e Veriut, me një portofol sa 52.4% e PBB-së, e ndjekur nga Kosova, me 50.7%, Bosnjë-Hercegovina, me 45.3%, Mali i Zi, me 43.8% dhe Serbia, me 38.6% e PBB-së.
Shqipëria ka pasur nivele të ulëta të kredisë në raport me PBB-në gjatë gjithë periudhës postkomuniste. Një rritje e shpejtë e këtij raporti u regjistrua sidomos gjatë periudhës 2005-2011, që përkon me zgjerimin e sektorit bankar në vend.
Në vitin 2011, raporti i kredisë ndaj PBB-së arriti nivelin më të lartë historik, me më shumë se 41%. Në vitet që pasuan, ky raport pësoi rënie të vazhdueshme, për shkak të krizës së kredive me probleme, që solli stanjacion të kreditimit për vite me radhë dhe më tej, pastrim të vazhdueshëm të portofolave prej kredive të humbura.
Mbështetur në këto shifra, duket se potencialet e kreditimit të ekonomisë dhe të rritjes së tregut janë ende të konsiderueshme.
Numri i degëve, i ulët krahasuar me rajonin
Një tjetër tregues i depërtimit të shërbimeve bankare është prania e tyre fizike, nëpërmjet rrjetit të degëve. Të dhënat krahasuese tregojnë se Shqipëria dhe Kosova janë vendet e Ballkanit Perëndimor me numrin më të ulët të degëve të bankave në raport me popullsinë. Gjithmonë sipas FMN-së, për vitin 2023, Shqipëria kishte 18.6 degë dhe agjenci bankare për 100 mijë banorë.
Shqipëria ishte vendi i dytë me depërtimin më të ulët të njësive bankare në popullatë, pas Kosovës, që e kishte këtë tregues në nivelin 16.28 degë për 100 mijë banorë.
Në rajon, nivelin më të lartë të këtij treguesi e kishte Mali i Zi, me 35.59 degë për 100 mijë banorë, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina, me 29.19 degë për 100 mijë banorë, Maqedonia e Veriut, me 24.68 degë për 100 mijë banorë dhe Serbia, me 24 degë për 100 mijë banorë.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, zëvendësimi i shërbimeve bankare në rrjet me ato dixhitale duket ende i ngadaltë, edhe për shkak të stadit të zhvillimit ekonomik të rajonit. Për këtë arsye, një prani më e gjerë e degëve ngelet e domosdoshme për të mundësuar zgjerimin e ofrimit të shërbimeve bankare në ekonomi.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2023, bankat shqiptare raportuan 385 degë, në rënie të mëtejshme me 2.8% krahasuar me një vit më parë.
Numri i degëve dhe agjencive bankare pati arritur nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Nga ai moment, numri i njësive bankare të shërbimit nisi të pakësohet. Efektet e krizës dhe nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonin zgjerimin e rrjetit dhe të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese.
Procesi u theksua më shumë nga cikli i konsolidimit të sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave tregtare. Numri i bankave tregtare ka rënë nga 16 në 11 dhe si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën.
Një faktor tjetër me ndikim në rritje është dixhitalizimi dhe automatizimi i ofrimit të shërbimeve dhe produkteve bankare. Sot, pjesa më e madhe e shërbimeve bankare mund të ofrohen nëpërmjet kanaleve dixhitale dhe kjo e ka ulur nevojën për praninë fizike të degëve dhe të stafit.
Megjithatë, këtë vit, tendenca disavjeçare e uljes së numrit të degëve bankare duket se është ndërprerë. Në mesin e këtij viti, bankat raportonin 391 degë dhe agjenci, gjashtë më shumë krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Disa prej bankave i janë kthyer zgjerimit të rrjetit të degëve. Ndikimin kryesor këtë vit e ka dhënë zgjerimi i rrjetit të Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank), ndërsa gjatë vitit 2024 edhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) po shton numrin e degëve, si pjesë e planit të ri të biznesit, pas marrjes së pronësisë nga kompania e sigurimeve Eurosig.
Performanca e mirë financiare e sektorit bankar në vitet e fundit ka nxitur banka të veçanta të investojnë edhe në zgjerimin e rrjetit të degëve, si pjesë e strategjisë së tyre të ekspansionit.
Nga konsolidimi, përsëri drejt zgjerimit?
Me licencimin e Union Bank, në vitin 2006, sektori bankar shqiptar arriti numrin më të madh të bankave tregtare aktive, 16 të tilla. Në atë periudhë, sektori bankar ndodhej në një fazë ekspansioni të shpejtë, ku investitorë vendas dhe sidomos ndërkombëtarë po hynin në tregun shqiptar, që premtonte potenciale të mëdha të pashfrytëzuara, duke qenë një nga ekonomitë më të nënkredituara në Europë.
Në vitin 2004, në treg kishte hyrë Raiffeisen Bank, nëpërmjet privatizimit të ish-Bankës së Kursimeve, ndërsa në atë periudhë, edhe bankat me kapital grek, të pranishme në treg prej vitesh, nisën një strategji zgjerimi.
Deri në vitin 2009, sektori u karakterizua nga një rritje e shpejtë e kreditimit dhe hyrje e aktorëve të tjerë të rinj nga jashtë, si grupet Intesa Sanpaolo, Societe Generale, Veneto Banka dhe indirekt, edhe Credit Agricole, nëpërmjet blerjes së grupit bankar grek Emporiki.
Megjithatë, numri i bankave nuk u rrit më shumë se 16. Grupet e huaja në përgjithësi preferonin blerjen e bankave ekzistuese, për të pasur një bazë tregu mbi të cilën të tentonin zgjerimin.
Kriza që filloi të shfaqej në vitin 2009 shënoi edhe nisjen e fazës rënëse të tregut. Pas disa vitesh stanjacioni dhe rënieje të kreditimit dhe rritjes së shpejtë të kredive me probleme, disa prej grupeve të huaja bankare vendosën të dilnin nga Shqipëria, duke preferuar të konsolidonin aktivitetin në tregjet më të mëdha.
Duke filluar nga viti 2015, Credit Agricole, Banka Kombëtare e Greqisë, Grupi Bankar i Pireut, Societe Generale, ICB Banking Group, Alpha Bank dhe Banka Islamike për Zhvillim vendosën të largoheshin nga tregu, duke i shitur bankat e tyre në Shqipëri.
Grupi Veneto Banca në Itali u përthith nga grupi Intesa Sanpaolo për ta shpëtuar nga falimentimi, duke sjellë edhe bashkimin e bankave në tregun shqiptar, ndërsa grupi kuvajtian Al-Kharafi e mbylli me likuidim Bankën e Kreditit të Shqipërisë.
Ky proces solli edhe disa bashkime me përthithje dhe uljen e numrit të bankave, nga 16 në 11 të tilla. Njëkohësisht, ai shënoi edhe rënien e ndjeshme të peshës së bankave nga vendet e BE-së dhe ato me kapital të huaj në përgjithësi, duke faktorizuar ndjeshëm investitorët vendas në tregun bankar.
Shumë ekspertë mendojnë se tregu bankar mund të ketë nevojë për një konsolidim të mëtejshëm, madje edhe vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, është shprehur në favor të një reduktimi të mëtejshëm të numrit të bankave.
Madje, edhe përpjekjet konkrete në këtë drejtim nuk kanë munguar. Në vitin 2022, pronari i Tirana Bank, grupi BALFIN, ishte shumë pranë blerjes së Raiffeisen Bank Shqipëri. Drejtuesit e grupit hungarez OTP e kanë pranuar në disa intervista synimin e tyre për të realizuar blerje të reja në tregun shqiptar, nëse do të paraqitet mundësia.
Por, në një moment ku mundësitë për ndryshime strukture në tregun bankar dukeshin kryesisht në kahun e një përqendrimi të mëtejshëm, interesimi i Ziraat Bank mund të sjellë një rritje, qoftë edhe të përkohshme, të numrit të bankave të pranishme në tregun shqiptar.
Investitorë të tjerë “në pritje”
Duhet thënë, megjithatë, se Ziraat nuk është i vetmi investitor që ka shfaqur interes për të hyrë në tregun shqiptar. Një tjetër bankë me kapital të huaj, që prej disa vitesh ka manifestuar interes për të hyrë në Shqipëri, është Novla Ljubjanka Banka (NLB).
NLB është e pranishme në shumicën e tregjeve të Ballkanit Perëndimor. Ashtu si në rastin e Ziraat, interesi i NLB për të hyrë në Shqipëri mund të kuptohet në këndvështrimin e plotësimit të mozaikut të pranisë në Rajon.
Megjithatë, ndryshe nga Ziraat, NLB duket të jetë e interesuar për të blerë një bankë ekzistuese dhe jo për të ngritur një bankë të re nga fillimi.
Një tjetër investitor që ka shfaqur parimisht interes për të hyrë në tregun bankar në vitet e fundit është grupi estonez Iute. Ky grup është i pranishëm në Shqipëri që prej vitit 2015, fillimisht me institucionin financiar të mikrokredisë, IuteCredit, dhe më pak me institucionin e parasë elektronike, IutePay.
Estonezët po vlerësonin mundësinë për të blerë një bankë të përmasave të vogla, me interesin kryesor aksesin në depozita, si një alternativë më e lirë për sigurimin e fondeve për huadhënie.
Iute arriti të realizonte blerjen e një banke në Moldavi. Por, në Shqipëri nuk u identifikua një bankë në përmasat që synonin estonezët, ndërsa nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë, në vitet e fundit e ka bërë të qartë se do të ndjekë një linjë shumë më shtrënguese për sa i takon lejimit të investitorëve të rinj, pa përvojë specifike, në sektorin bankar.
Kapitali i huaj ngelet dominues, por rriten bankat vendase
Bankat me kapital të huaj vazhdojnë të jenë dominuese në strukturën e pronësisë së sektorit bankar shqiptar, por megjithatë, në dekadën e fundit, vërehet qartë një rritje e ndjeshme e peshës së bankave me kapital vendas.
Nga 11 banka aktive në tregun shqiptar, gjashtë janë me kapital të huaj dhe pesë me kapital mbizotërues vendas.
Bankat me kapital të huaj, sipas madhësisë, janë Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Raiffeisen Shqipëri, Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri, Banka OTP Albania, Banka ProCredit Shqipëri dhe Banka e Parë e Investimeve Shqipëri (Fibank). Tre prej tyre klasifikohen nga Banka e Shqipërisë si banka me rëndësi sistemike.
Statistikat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të shtatorit 2024, bankat me kapital të huaj zotëronin 63.4% të totalit të aktiveve të tregut bankar shqiptar. Por, pesha e tyre e tregut ka rënë ndjeshëm nga niveli prej 84.5% i një dekade më parë.
Rënia e peshës së kapitalit të huaj në tregun bankar nisi sidomos pas vitit 2015, kur një pjesë e grupeve bankare të Eurozonës vendosën gradualisht të dalin nga tregu shqiptar, me objektiv kryesor për të rimëkëmbur aktivitetet e tyre në tregje të tjera, pas efekteve të krizës financiare që pati zanafillën në vitin 2008.
Kjo krijoi hapësira për rritjen e peshës së kapitalit vendas në tregun bankar, qoftë nëpërmjet blerjes së bankave me kapital të huaj, por qoftë edhe duke treguar oreks më të madh për rritje organike, në një periudhë kur bankat me kapital të huaj në përgjithësi e frenuan rritjen, duke u fokusuar kryesisht në ruajtjen e cilësisë së portofolave./Monitor/