Banesa karakteristike ndodhet në një prej lagjeve të njohura në Shkodër “Tophane”. Banesa karakteristike qytetare shkodrane gëzon statusinMonument Kulture, Kategoria I, që nga viti 1977. Banesa mbi 200 vjeçare, ndërtim guri rrethohet nga mure të larta që nuk lejojnë që ajo të vërehet nga jashtë, por hapësirat e bollshme të pjesës së jashtme, gdhendjet me dru janë dëshmi e vlerave të saj kulturore. Origjinalitetin e saj, aktualisht vazhdojnë ta ruajnë dy nga dhomat e katit të dytë, të cilën Shaban Dini e ruan me shumë kujdes e përkushtim dhe e ka kthyer në një minimuze të familjes së tij.
Banesa është e variantit me çardak të mbyllur dhe me shkallë të brendshme. Ruan qartë karakteristikat e banesave të periudhës së shek XVIII-XIX duke trashëguar të pa cenuar një mjedis karakteristik të `odës së miqve`. Ornamentika e zbukurimores së ketij mjedisi karakteristik ku spikasin gdhendjet me dru, tavan oktagonal me rozetë të shkeputur rrethore,një trapazan të gdhendur,një dollap të gdhendur, nje derë me thurje në formë shporte, një sergjen dhe tre dritare të punuara me motive të ndryshme.
Xhevahire Çelaj, shtëpiake, trashëgimtare e banesës, ra në dashuri dhe u martua me Abdyl Çelen, krutan i cili do të transferohej në Shkodër për të jetuar në shtëpinë e bashkëshortes, Xhevahires. Abdyli, me profesion dyfekçi, në vitet 1920-1930, kishte 3 fëmijë nga martesa e parë, ndërkohë që do trashëgohej edhe me tre fëmijë të tjerë nga martesa me Xhevahiren; Sabrijen,Teutën dhe Myzejenin. Nga martesa e Myzejenit me Esatin, do të lindte Shaban Dini në vitin 1957, me profesion mekanik i cili ka trashëguar sot pronën dhe kujdeset prej vitesh me një pasion të jashtëzakonshëm për ruajtjen e saj. Ai sot është i martuar me Arjanen dhe kanë dy femijë.
(Marrë nga DRTK Shkodër)