Banesa shkodrane e familjes Xhevat Repishti, monument kulture kategoria I-rë…

Një ndër banesat tipike e përfaqësuese të ndërtimtarisë së shek. XVIII- fillim shek. XIX, shpallur monument kulture kategoria I-rë (1977) nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës.

Banesa Repishti, mbi 200 vjeçare, hyn në tipin e banesave me çardak të mbyllur. Ajo është e vendosur në një truall të gjërë, rrethuar me mure të lartë. Trualli i banesës është i vendosur në fundin e një kopshti karakteristik shkodran, të gjelbëruar me pemishte. Porta hyrëse, përbën një element të rëndësishëm në tipologjinë e banesës, si një tregues i rangut shoqëror të familjes. Banesa është ndërtim prej guri, dy katësh. Ajo ruan një dhomë me tavan me kazanë të pikturuar dhe të gdhendur me kënde.

Tavani i Banesës Repishti, është unik në llojin e tij për vetë formën që përngjason me kapakun e “kazanit” me dy kupola njëra mbi tjetrën, të ndërtuara këto të fundit si dy breza rrethorë vertikal, dhe të pikturuara në teknikën e ngjyrave me bazë uji asseco.

Oda karakteristike e ka fituar statusin “Monument Kulture”, për veçansinë e tavanit dhe narrativën e përdorur në pikturë, ku trajtohen zhvillimet e fundit njerëzore për kohën si psh; zebelina, dhe avullorja (mjetet më moderne të lundrimit dhe fluturimit). Pikturat paraqesin sekuenca të jetës së përditshme të qytetit, si Pazarin e Vjetër, peshkimin, objekte kulti, por dhe relievin e Shkodrës me liqenin dhe lumenjtë që e rrethojnë. Veprat janë të trajtuara me elegancë, ku niveli piktorik është mbi mesataren e banesave të kohës. Trapazani i mbyllur me suva dhe me 5 dritare qelqi me ngjyrë bën dallim nga shumica e banesave shkodrane që e gjejmë në variantin gjysëm të hapur dhe kryesisht në dru.

Xhevat Repishti, është historian, humanist e shkrimtar. Ai leu në lagjen “Ndocej”, në Shkodër, një figurë mjaft e njohur për qytetin nga pikpamja e jetës dhe kontributit shkencor, historian e studiues, botues i shumë studimeve dhe veprave monografike, kumtesave dhe konferencave shkencore. Sot, ai nuk jeton më ndërsa banesa trashëgohet nga Maltin dhe Vokona Repishti. Z.Maltin Repishti, i biri, me profesion mjek gëzon një karrierë të spikatur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

(Marrë nga DRTK Shkodër)