Banesa shkodrane e familjes Lluja me vjetërsi rreth 280-300 vjeçare…

Një ndër banesat më të vjetra karakteristike në qytetin e Shkodrës, e shpallur monument kulture kategoria I (1973), me vjetërsi rreth 280-300 vjeçare. Ajo mbart vlera arkitektonike e historike të fund shek XIX, e shtirë në një sipërfaqe prej 2160 m2 e rrethuar me mure të larta guri prej 3 (metra), kopësht, me portë të madhe hyrëse me dy kapakë e dritare karakteristike prej druri. Në oborrin e shtëpisë kanë qenë 1 kullë 2-katëshe për kuajt e bagëtitë, dygani e furra (dhe 1 mulli uji) dhe dy puse uji me truma.
Banesa e Llujejve, është ndërtuar bazuar në stilin oriental, me punime druri e hekuri dhe guri me eksponata muzeale me merita historike.

Tavani i baneses ( tetëkendor i brendashkruar katerkendorit, me cepat trekëndor të punuar herë me gdhendje e herë i pikturuar, dhe me rozetë qendrore rrethore, e daltuar me motive floreale) ka një veçanti teknike: copë e pikturuar, dhe e ngjitur më vonë në gjithë sipërfaqen e tavanit, pikturë kavaleti
Motivet janë gjeometrike të qenerzuara tek rozeta, ndërsa gjithë siperfaqja, është e dekoruar me ornamente floreale.

Ndersa pikturat murale parietale, janë të punuara “a secco” dhe si zakonisht zhvillohen mbi sergjite, nga ana e hyrjes ne Ode, 5 kamare te dekoruara me shije. Skenat e pikturuara jane 4 peisazhe te tematikave te ndryshme, qe nga zhvillimi industrial e naval, e gjer tek objekti i kultit ( xhami)

Familje ishte e këmbur ekonomikisht pasi zotëronte dyqane, mullinj uji e bloje, kulla sane, siperfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore, livadhe, kullota, pyje. Z.Hamit Lluja lindi në vitin 1919 dhe kishte aktivitet të pasur tregtar në fushën e parfumerisë dhe kinkalerisë në Parrucë. Ai kishte 4 fëmijë, Feritin, Ferdin, Hadinë, dhe Lavdijen. Hadija, ka qënë drejtuesi I emisionit të parë parë fetar në Radio Shkodra. Familja është e njohur në fushën e tregtisë që në vitin 1705, dhe ruan dokumente të shumtë, ceqe bankare, monedha, kontrata, akt-marrëveshje, me status të firmës «VLLAZEN LLUJA”, me aktivitet në qytetin e Shkodrës.

Bazuar në dokumente familja merrej me tregti drithërash, lëkure, prodhime cigaresh, tregti manifaturë kinkaleri parfumeri, brenda vendit dhe jashtë, në Mal të Zi, Serbi, Turqi, Itali dhe Mesdhe. Në banesën e Llujejve, janë mbajtur mbledhje e takime në momentet kritike për fatin e atdheut. Kjo familje ka dhenë ndihmesën e duhur në të gjithë drejtimet, organizative, administrative, financare, politike dhe ushtarake. Në ketë banesë e cila mbart mbi themele dallueshmërinë arkitekturore, gjendjen e mirë ekonomike, vjetërsinë dhe historinë e kohës si dhe pjesën e historisë së familjes, lagjes Dudas – Ndocej, Shkodrès.

(Marrë nga DRTk Shkodër)