🏠Banesa shkodrane e familjes ‘Ismet Halili’;
📍Lagjia: ‘Dudas’, Shkodër.
Monument Kulture,Kategoria I-rë ( 1973); banesë me vlera të pasura arkitekturore, historike dhe etnografike me një histori mbi 350 vjeçare.
Ajo është e variantit dy katësh prej druri. Struktura ndërtimore i përket variantit me çardak, ku qendra e kompozimit është çardaku, me të cilin ndërlidhen mjediset e katit, ku pjesa më interesante është oda e miqve.
Kjo banesë, i përket atyre me vëllim të madh në zotërim të shtresave të pasura të qytetit. Çardaku është i ndërtuar në fasadën kryesore të banesës dhe në fazën e tij origjinale është i hapur. Ai shërbente njëkohësisht edhe si ambient ndërlidhës për hapësirat e tjera duke shfrytëzuar në maksimum dritën natyrale.
Oda e miqve është mjedisi më paraqitës dhe i vecantë i kësaj banese, vendi ku priteshin miqtë sidomos në rastet e ngjarjeve e të ceremonive familjare. Kjo dhomë ende sot, zë vendin më të mirë në kompozimin e banesës dhe dallohet nga pajisjet e trajtimi i pasur dekorativ, gdhendjet në dru në pjesë si tavanë, dollapët e murit, musandrat, dyert.
Banesa ruan tre mjedise karakteristike me ornamente tradicionale që përfaqësojnë më së miri tipologjinë e fund shekullit VXIII-XIX.
Ajo është e ndërtuar në katin përdhe e gjitha me mur guri. Muratura e gurit shkon 60-65 cm, ndërsa teknika e mureve me skelet druri karakterizohet nga një sistem shtyllash të vendosura në distancë, të kurorëzuara sipër me jastek druri të punuar.
Xheladin Halili, pronar i banesës, merrej me tregti ushqimore. Nga martesa e tij me Xhevahiren, me prejardhje nga një familje intelektualësh nga Tivari , erdhën në jetë tre fëmijë Ismeti, Melihaja dhe i ndjeri Beqir Halili. Sot, banesa trashëgohet nga Ismeti, me profesion arsimtar i njohur në Shkodër, martuar me Luljeten, arsimtare, nga martesa e të cilëve kanë ardhur në jetë dy fëmijë Sevimi dhe Altini.
(Marrë nga faqja DRTK Shkodër)