Kryeministri Edi Rama akuzon opozitën dhe Presidentin se po nxisin komunitetin mysliman t’u bashkohet Revolucionit të tyre Imagjinar për Bajram.
Në një postim në “Facebook”, ndonëse nuk flet me emra, Rama thotë se komitët patriotë dhe parimorë të Shqupit e të Lalzit, që prej vitesh përleshen për popullin e shtypur pasi sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të Karakatinës së Teatrit Kombëtar, janë ringjallur si ndjekës të flaktë të profetit.
Ai thotë më tej se nga java e ardhsme do hapen aktivitetet dhe tempujt fetarë, por duke nisur nesë me këmbë të mbarë për Bajram. Kreu i qeverisë uron dhe besimtarët myslimanë dhe uron që hapja e xhamive të jetë ogur paqeje e mirësish për të gjitha komunitetet dhe vetë Shqipërinë.
POSTIMI I RAMËS
Komitët patriotë dhe parimorë të Shqupit e të Lalzit, që prej vitesh përleshen për popullin e shtypur dhe shfaqen si çeta e Shahin Verdhës së Vitit të Mbrapshtë, herë me molotov e me gurë, herë me mandatin e djegur e herë me kafkën e Hamletit në dorë, kudo e kurdo ne të tjerët përpiqemi të ndryshojmë për mirë Shqipërinë e të ndërtojmë vepra të reja, pasi sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të Karakatinës së Teatrit Kombëtar, janë ringjallur si ndjekës të flaktë të profetit për të nxitur komunitetin mysliman t’u bashkohet Revolucionit të tyre Imagjinar për Bajram
Zoti u ktheftë ndonjë pikë nga vaji i kandilit të arsyes që u ka shterrur krejt, se tjetër derman për ta kjo tokë nuk ka përveç keqardhjes e mëshirës për lajthitjen e tyre🙏
🟢 PASI KEMI BASHKËPUNUAR KËTO JAVË ME KOMUNITETET FETARE DHE KEMI PËRGATITUR PROTOKOLLET E SIGURISË SHËNDETËSORE, DUKE MARRË, VLERËSUAR E MIRATUAR PROPOZIMET E TYRE, JEMI GATI TË VENDOSIM ÇELJEN E AKTIVITETIT TË TEMPUJVE NGA JAVA E ARDHSHME, ME TË GJITHA KUFIZIMET PËRKATËSE, DUKE E NISUR NESËR ME KËMBË TË MBARË E ME BEKIMIN E DRITËS SË DITËS SË BUKUR TË KALENDARIT TË BESIMIT
DUKE JU URUAR MEGJITHË ZEMËR BAJRAMIN BESIMTARËVE MUSLIMANË, UROJ EDHE QË HAPJA E XHAMIVE (NËN KUJDESIN E MADH TË DREJTUESVE SHPIRTËRORË TË KOMUNITETIT PËR RESPEKTIMIN E PROTOKOLLIT TË PROPOZUAR PREJ VETË ATYRE) TË JETË NJË OGUR I MIRË PAQEJE E MIRËSISH, PËR TË GJITHA KOMUNITETET DHE VETË SHQIPËRINË E SHQIPTARËT NË KËTË KOHË JO TË LEHTË