“Babai im, ish-nënprefekti i Stambollit dhe ministër në disa kabinete të Zogut, u internua nga italianët dhe u burgos nga komunistët”. Historia e panjohur e Abdurrahman Dibrës, rrëfen i biri

Shpërndaje

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Abdurrahman Dibrës me origjinë nga Dibra e Madhe, i cili pasi u diplomua për Shkencat Politike në kryeqendrën e perandorisë osmane, me dekret të Sulltanit u emërua si nënprefekt i Stambollit, duke shërbyer në atë detyrë të lartë deri në vitin 1921, kur iu përgjigj thirrjes së Zogut për t’u kthyer dhe për të dhënë kontributin e tij në Shqipëri.

Karriera e gjatë politike e Abdurrahman Dibrës duke filluar nga deputet i Dibrës së Madhe që në zgjedhjet e para të parlamentit shqiptar në pranverën e vitit 1921, e deri në 1939-ën, për 19 vjet, gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, ai shërbeu si ministër në disa kabinete qeveritare, duke drejtuar dikasteret e Punëve të Brendshme, të Kulturës dhe atë të Financave.  

Tërheqja e Abdurrahman Dibrës nga skena politike pas 7 prillit të vitit 1939, kur Italia kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë dhe mos pranimi për të shkuar në Itali, me delegacionin që i dërgoi Kurorën e Skënderbeut, Mbretit Viktor Emanueli i Tretë.

Ndonëse babai im Abdurrahman Dibra kishte qenë nënprefekt i Stambollit dhe ka shërbyer për 19-vjet si ministër e deputet gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, me ardhjen e komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, ai nuk pati asnjë problem prej tyre, peripecitë e familjes sonë filluan pas arrestimit të vëllait tonë të madh, Qenanit, që ishte diplomuar për Drejtësi në Paris dhe në një nga akademitë ushtarake të Italisë. Pas arrestimit të Qenanit,  na nxorën nga shtëpia në rrugën e Saraçëve dhe na sekuestruan gjithçka, na lanë në mes të rrugës duke na thënë të shkonim ku të donim. Më 17 qershor të vitit 1946, Qenanin e nxorën para Gjyqit Ushtarak në Tiranë, së bashku me 37 të pandehur të tjerë dhe ai u dënua me vdekje, i akuzuar si: kryetar i grupit “Monarkist”, i cili së bashku me grupimin “Social-demokrat”, të kryesuar prej Musine Kokalarit dhe atë të “Rezistencës” të kryesuar prej Sami Qeribashit, ishin bashkuar dhe kishin formuar grupimin opozitar, antikomunist të quajtur “Bashkimi Demokrat” që udhëhiqej prej Sami Qeribashit”. Kështu e kujton Urhan Dibra për Memorie.al, historinë e babait të tij Abdurrahman Dibrës, ish-nënprefektit të Stambollit, që pasi shërbeu për 19-vjet si deputet e Ministër i Brendshëm, Financave dhe i Kulturës, në periudhën e Monarkisë së Zogut, u burgos dhjetë vjet prej komunistëve. Po kështu në rrëfimin e tij, Urhan Dibra tregon edhe për historinë tragjike të vëllait tij, të madh Qenan Dibrës, të diplomuar në Paris e Romë, i cili u dënua me vdekje nga komunistët në vitin 1946, pasi u akuzua si kryetar i një grupimi opozitar, antikomunist të quajtur “Grupi Monarkist”.

Abdurrahmani, nënprefekt në Stamboll

Abdurrahman Dibra u lind në vitin 1885, në qytetin e Dibrës së Madhe, ku babait të tij Elmaz Dibra, asokohe shërbente si arkëtar i Bashkisë. Nga tre djemtë e Elmaz Dibrës, vetëm i madhi Abdurrahmani, u bë i njohur për shkak të aktivitetit të tij politik, ndërsa dy të tjerët, Xhevdeti dhe Rahimi, patën një jetë krejt ndryshe nga ajo e vëllait të tyre. Rahimi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Manastirit dhe më pas shkoi në Stamboll, ku ndoqi universitetin në degën e Shkencave Politike. Pas diplomimit, Rahimi punoi në Stamboll, si gazetar dhe nuk u kthye më në Shqipëri. Ndryshe nga dy vëllezërit e tjerë që ndoqën studimet e larta, Xhevdeti nuk ishte i shkolluar dhe gjatë viteve të Monarkisë, ai shërbeu si xhandar i ndihmuar nga i vëllai Abdurrahimi, që kishte funksione të larta shtetërore në atë kohë. Ndërsa lidhur me shkollimin e Abdurrahmanit dhe fillimin e karrierës së tij, administrative e politike, i biri i tij Urhan Dibra dëshmon: “Pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindjen e tij Dibër, babai Abdurrahmani vazhdoi të mesmen në qytetin e Manastirit dhe më pas shkoi në kryeqendrën e perandorisë osmane, për të ndjekur studimet e larta. Ai u regjistrua në degën e Shkencave Politike, në Universitetin e Stambollit, të cilin e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1908, duke marrë dhe “Medalje Ari” si një nga studentët më të mirë të asaj dege. Duke parë rezultatet e tij të larta, Porta e Lartë e emëroi atë në administratën vendore osmane dhe pas pak kohësh, me dekret të Sulltanit, ai u emërua në postin e nënprefektit të Stambollit. Gjatë viteve që babai im Abdurrahmani, ndoqi studimet e larta në Stamboll, ka qëndruar në një dhomë me djaloshin nga Mati, Ahmet Zogun, i cili ishte dhjetë vite më i ri se ai. Që nga ajo kohë babai lidhi një miqësi të ngushtë me Zogun, i cili në vitin 1920-të, kur u emërua në postin e Ministrit të Brendshëm, i bëri thirrje Abdurrahmanit që të linte Stambollin dhe të kthehej në Shqipëri. Babai iu përgjigj pozitivisht ftesës së tij dhe në pranverën e vitit 1920, ai erdhi në Shqipëri e mori takim menjëherë me Zogun në Tiranë”, dëshmon i biri i Abdurrahmanit.

19-vjet deputet e Ministër i Zogut

“Pas kthimit në Shqipëri dhe bisedimeve me Zogun, babai pranoi të integrohej në jetën politike të vendit dhe në fillimin e vitit 1921, ai hodhi kandidaturën për deputet në Prefekturën e Dibrës së Madhe, ku bashkë me Ahmet Zogun, fitoi të drejtën të ishte një nga përfaqësuesit e asaj Prefekture, në Parlamentin e Parë shqiptar, që i filloi punimet në 21 prill të atij viti. Në atë kohë përveç Ahmet Zogut, nga politikanët më të njohur, babai kishte miqësi të ngushtë edhe me Myfid Libohovën, Ekrem Bej Vlorën, Koço Kotën e Iljaz Vrionin. Më 27 maj të vitit 1924, kryeministri Iljaz Vrioni e thirri babanë dhe i kërkoi, që në kabinetin e kryesuar prej tij, ai të mbante portofolin e Ministrit të Brendshëm. Babai e pranoi postin ministror dhe në atë kabinet, përveç tij merrnin pjesë dhe Koço Kota si ministër i Punëve Botore, e Sulejman Delvina si ministër i Financave. Në këtë post ministror, babai nuk qëndroi më shumë se dy javë, pasi në dhjetë qershor të vitit 1924, forcat opozitare që ishin grupuar rreth Fan Nolit e Luigj Gurakuqit, organizuan kryengritjen e armatosur dhe me forcën e armëve e rrëzuan qeverinë e Iljaz Vrionit, ku babai mbante postin e ministrit të Brendshëm. Me hyrjen e forcave rebele fanoliste në Tiranë, babai u detyrua dhe u largua nga kryeqyteti, pasi ai kërkohej prej tyre me çdo kusht për t’u eliminuar fizikisht, për vetë funksionin tepër delikat të Ministrit të Brendshëm, që kishte mbajtur. Pas largimit nga Tirana, babai shkoi në Dibër të Madhe, tek njerëzit tanë. Gjatë asaj kohe që babai strehohej aty, Krajli i Serbisë, (Nikolla Pashiqi), duke pasur parasysh pozicionin që kishte Abdurrahmani, në Qeverinë e Tiranës, i dërgoi atij ftesë dhe i kërkoi që të bashkëpunonte me të, duke i ofruar edhe shuma të mëdha me para. Babai Abdurrahmani, e refuzoi në mënyrë kategorike bashkëpunimin me Krajlin e Serbisë dhe për disa muaj qëndroi i fshehur, pasi e nuhati se kërkohej për t’u zhdukur nga shërbimet sekrete të Beogradit. Me rikthimin e Ahmet Zogut, në pushtet në fundin e vitit 1924, babai u rikthye në Tiranë dhe u zgjodh përsëri si deputet i Dibrës së Madhe, në zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan në 27 maj të atij viti. Më 12 shkurt të vitit 1927, kryeministri Ahmet Zogu, i besoi babait postin e ministrit të Brendshëm, të cilin ai e ushtroi deri në 10 maj të vitit 1928. Në atë kohë që babai u emërua në postin e ministrit të Brendshëm, ashtu si të gjithë funksionarët e lartë të kabinetit qeveritar dhe deputetët e parlamentit, ai përfitoi me ligji një truall, në të cilin ndërtoi shtëpinë në rrugën e Saraçëve. Pas vitit 1928, babai Abdurrahman Dibra u emërua në funksionin e ministrit të Financave, post të cilin ai e mbajti deri në vitin 1936. Pas atij viti, tim ati iu ngarkua edhe posti i ministrit të Arsimit, të cilin ai e mbajti deri në prillin e vitit 1939-të. Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, im at pati marrëdhënie shumë të mira dhe korrekte me Ahmet Zogun, ai e ftonte në të gjitha ceremonitë e darkat e rrethit të ngushtë familjar. Po kështu një nga miqtë më të ngushtë të babait, ishte dhe profesor Aleksandër Xhuvani, të cilin ai e emëroi në funksionin e zv / ministrit të Arsimit, gjatë viteve që ai ishte në krye të atij dikasteri. Një nga kundërshtarët më të mëdhenj që kishte im at, ishte Shefqet Vërlaci, me të cilin ai nuk e gjeti asnjëherë gjuhën e mirëkuptimit. Gjatë karrierës së gjatë njëzet-vjeçare, që babai pati si deputet dhe tre herë ministër, përveç orarit zyrtar që ai e kalonte duke punuar në zyrë, pjesën më të madhe të kohës, ai e kalonte në shtëpi duke lexuar dhe studiuar mbi libra. Abdurrahmani kishte një memorie të mirë dhe falë saj, ai kishte mësuar disa gjuhë të huaja, si: turqishten, anglishten, italishten dhe frëngjishten”, kujton Urhan Dibra

Internohet nga Shefqet Vërlaci

Karriera politike e Abdurrahman Dibrës përfundoi më 7 prill të vitit 1939, ditën që Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë. Ndërsa në mëngjesin e shtatë prillit Abdurrahmani nuk pranoi, që të largohej nga Shqipëria së bashku me Mbretin Zog dhe një pjesë të Oborrit Mbretëror, ai nuk pranoi të merrte pjesë, as në qeverinë shqiptare, që u krijua ato ditë nën presionin e dhunën e italianëve. Ditët e para të prillit 1939, Abdurrahmani refuzoi kërkesën, që i’u bë për të shkuar në Romë me delegacion e lartë shqiptar, që do t’i çonte Kurorën e Skënderbeut, Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit të Tretë. Lidhur me këtë, i biri Urhani tregon: “Nisur nga bindjet politike antifashiste që kishte babai, si dhe refuzimi që i bëri ai kërkesës, për të shkuar në Romë me delegacionin që çoi Kurorën e Skënderbeut tek Mbreti, Viktor Emanueli, në fillimin e vitit 1940-të, ai u internua nga autoritetet fashiste italiane në Itali. Pak kohë pas internimit të tij, me propozimin e Kryeministrit Shefqet Vërlaci, me të cilin babai kishte pasur gjithmonë probleme, na u sekuestrua e gjithë pasuria jonë e luajtshme dhe e paluajtshme. Në vendimin e sekuestrimit të kësaj pasurie thuhet:

Këshilli Ministruer                                                            

Nr.306 me 1-III-940

                                                                    Vendim                                                

Këshilli Ministruer në mbledhjen e tij të sotshme të mbajtur nën Kryesinë e z. Shefqet Vërlaci, Kryeministër e Zav. Ministër Sekretar Shteti për P. Botore, me anëtar ZZ Tefik Mborja, Ministër Sekretar i Partisë Fashiste Shqiptare, Xhafer Ypi, Ministër Sekretar Shteti për Drejtësinë, Maliq Bushati, Ministër Sekretar Shteti për M. Mbrendshme, Fejzi Alizoti, Ministër Sekretar Shteti për Financat, Ernest Koliqi, Ministër Sekretar Shteti për Arsimin, Anton Beça, Ministër Sekretar Shteti për Ekonominë Kombëtare, në bazë të nenit 9 të Dekretit Mëkëmbësve datë 2 qershor 1939-XVII, shpallun në Fletoren Zyrtare Nr.39 data 9 Qershuer 1939-XVII.

                                                                    Vendosi

Konfiskimin e pasunivet të luajtshme dhe të pa-lujtshme, të sekuestrueme me Dekret të ndryshëm të Ministrit Sekretar Shteti për Drejtësinë, në bazë të nenit 2 të Dekretit sipërthanun, personave të treguem në listën e bashkëngjitun këtij vendimi, me përjashtim të shtëpisë që zotnon në lagjen “Abdullah Bej” të Tiranës, Abdurrahman Dibra, e cila i asht falë për banim familjarë, familjes së të ndjerëve Et-hem, Ismet dhe Tahsim Toto, familje e cila përbëhet prej të vejave, fëmijëve të mitun, atit dhe vëllait student. Asht një me origjinalin.

Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministravet

(Yzedin Beshiri)

(AQSH. F. 249 v 1940 D.III 263 f.120).

Ndërsa shtëpinë tonë ia dhanë familjes së vëllezërve Ismet e Et’hem Toto, ne na lanë të banonim në bodrumin e saj, ndërsa në katin e tretë, sollën familjen e një mjeku italian. Ne do të na kishin hequr fare nga shtëpia, por na lanë të banonim në bodrumin e saj, vetëm në sajë të ndërhyrjes së Xhaferr Ypit. Kurse në pasurinë e paluajtshme, që na u sekuestrua bënin pjesë 60 dynym tokë, pjesa më e madhe e së cilës ishte në aeroportin e Laprakës. Një pjesë të madhe të parave që u mblodhën nga shitja e tokave tona, iu dhurua Kryqit të Kuq Shqiptar. Pas një qëndrimi prej katër vitesh në internim në Itali, ku babai Abdurrahmani ishte së bashku me miqtë e ngushtë; Hiqmet Delvinën e Suat Asllanin, ai u kthye në Shqipëri, në shtatorin e vitit 1943, kur kapitulloi Italia. Me ardhjen e tij në Tiranë, gjatë periudhës së pushtimit gjerman, babai kërkoi dhe rimori një pjesë të madhe të pronave, që na kishin sekuestruar italianët me pa të drejtë. Deri në mbarimin e Luftës, im at qëndroi në shtëpi dhe nuk u përzje fare me politikë. Edhe pas mbarimit të Luftës në fundin e vitit 1944, ndonëse Abdurrahmani kishte shërbyer për gati 19-vjet si deputet dhe Ministër i Monarkisë së Zogut, komunistët që erdhën në pushtet nuk e trazuan atë. Por peripecitë e mëdha për familjen tonë, filluan në pranverën e vitit 1946, kur komunistët arrestuan vëllanë e madh, Qenanin, i cili kishte mbaruar studimet e larta dhe ishte diplomuar për Jurisprudencë, në Paris dhe në Akademinë Ushtarake të Romës. Vëllai Qenani u akuzua si kryetar i një grupimi Monarkist, i cili ishte bashkuar me dy grupime të tjera: Social-demokrat dhe të Rezistencës të kryesuara nga Musine Kokalari dhe Sami Qeribashi”, kujton Urhan Dibra për vëllanë e tij./Memorie.al

Shpërndaje