“Babai hapi shkollat e para dhe themeloi Shoqërinë “Vllaznia”, që në 1910-ën, por u burgos nga italianët, Noli, Jakomoni dhe nga komunistët me 20 vite në Burrel…”/ Historia e dhimbëshme e Shefqet Mukës

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Sheqet Mukës nga qyteti i Shkodrës, i cili që në vitin 1910 u morr me përhapjen e arsimit shqip në qytetin e Shkodrës dhe ishte një nga themeluesit e Shoqërisë “Vllaznia”. Shkolla e Parrucës që hapi Shefqeti dhe ku ai shërbeu për gati 20 vite, u bë një nga shkollat më të mirë jo vetëm në atë qytet por edhe më gjerë.  Pas kësaj Shefqeti bëri të gjitha përpjekjet për të hapur gjimnazin shqip në qytetin e Shkodrës dhe për atë ai u kërkoi ndihmë e përkrahje disa prej figurave dhe personaliteteve të njohura të asaj kohe, si: Rexhep Mitrovicës, Mustafa Krujës, Maliq Bushatit, Mithat Frashërit, Halit Rojit, Kristo Floqit, Sali Vuçiternit, Rexhep Mitrovicës, etj., duke u dërguar letra, ku midis të tjerash shkruante: “Me i pajisë bijtë e shqipes me flatrat e ditunisë, që janë stolitë ma të çmueshme të kësaj jete”

Arrestimi i Shefqetit në vitin 1919 në qytetin e Vlorës së bashku me Hys Draçinin, Ymer Ruzhdinë e Halil Berishën nga autoritetet italiane, ai u rikthye përsëri në qytetin e tij të Shkodrës, por në vitin 1924, papritur ai u arrestua përsëri nga qeveria e Fan Nolit, duke e akuzuar atë si përkrahës të ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Ahmet Zogu, i cili ishte larguar nga Shqipëria.

Veprimtaria e Shefqet Mukës gjatë viteve të Monarkisë së Zogut ku ai punoi si arsimtar në qytetin e Shkodrës dhe në vitin 1933 ai u transferua në Tiranë si drejtor i Shkollës “Hoxha Tasim”, ku pasi punoi për katër vite, u thirr të drejtonte Strehën Vorfnore dhe pas tre vitesh në atë detyrë, me propozimin e bashkëshortes së Jakomonit, ai u pushua nga puna dhe më pas u arrestua dhe vuajti disa kohë në burg në Elbasan dhe Tiranë. Angazhimi i Shefqetit në Lëvizjen Antifashiste gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, duke aderuar me forcat nacionaliste të Legalitetit.

Arratisja e Shefqet Mukës në nëntorin e vitit 1944 duke dal në mal për t’i shpëtuar hakmarrjes së forcave komuniste dhe dorzimi i tij pas dy vitesh, fillimisht e dënoi më burgim të përjetshëm dhe më pas në 25 vite, të cilat ai u vuajti në burgun e tmerrshëm të Burrelit nga ku u lirua vetëm në vitin 1965 në moshën 78-vjeçare dhe pas një viti ndërroi jetë në shtëpinë e tij në qytetin e Shkodrës.

“Pasi mbaroi lufta në nëntorin e 1944-ës, për afro dy vite babai qëndroi i fshehur në mal duke ditur se hakmarrja e komunistëve dhe persekucioni ndaj tij nuk do të mungonte. Kjo u vërtetua dhe me internimin që komunistët i bënë familjes sonë në Berat. Në vjeshtën e vitit 1946 qeveria komuniste e Enver Hoxhës dha një amnisti për të arratisurit politikë nga e cila përfitonte dhe babai. Nisur nga kjo më 21 tetor të atij viti ai u dorzua vetë, gjë e cila triunfalisht u botua dhe në gazetën “Bashkimi”. Pas një kalvari prej tetë muajsh në hetuesi, ai doli në gjyq së bashku me Xhemal Naipin, Shaqir Omarin, Nexhat Boriçin, Bep Negrin dhe Ismail Elezin. Trupi gjykues ushtarak, me prokuror, kapiten Namik Qemali, dha vendimin: i pandehuri Shefqet Muka dënohet me burgim të përjetshëm”. Kështu e kujton, Adnan Muka, arrestimin dhe dënimin e babait të tij, Shefqetit,  një nga mësuesit që hapi të parat shkolla shqipe në qytetin e Shkodrës, i cili pas mbarimit të Luftës, i akuzuar si mik dhe përkrahës i Ahmet Zogut e Abaz Kupit, si dhe pjestarë i disa organizatave antikomuniste, si: “Besa Shqiptare” dhe “Beslidhja e Shkodrës”, u dënua me 25 vite burg, të cilat i vuajti në burgun e tmerrshëm të Burrelit, prej nga doli në shtatorin e vitit 1965 në moshën 78 vjeçare.

 Kush ishte Shefqet Muka?

Shefqet Muka u lind më 13 shtator të vitit 1887 në qytetin e Shkodrës, në një nga familjet e njohura të atij qyteti. Shefqeti mbaroi me rezultate të larta gjimnazin turk të qytetit (shkollë ushtarake) aty nga viti 1910, por duke parë nevojën e madhe që kishte në atë kohë për mësues. Ai mori inisiativën dhe me përpjekje të shumta arriti të hapë shkollën e parë fillore të qytetit në lagjen “Parrucë” që u bë një nga shkollat më të mira, jo vetëm të Shkodrës, por edhe më gjerë. Drejtor i kësaj shkolle ka qenë Abaz Golemi, por organizimi, drejtimi dhe nxitja për ta çuar më tej veprimtarinë arsimore të asaj shkolle, ishte e Shefqet Mukës. Kjo bëhet e ditur dhe nga një vlersim që jepet në atë kohë prej inspektorit të arsimit në qytetin e Shkodrës, Gaspër Mikeli, i cili ndër të tjera shkruante:”Shefqet Muka, sado që nuk ka një kurs apo studime normale, me praktikën e gjallë dhe me përvojën e 14 vjetëve që ka si mësues, e me studime e me këndime që ban dita me ditë e ka pajisë vedin me dituni e me ato cilësi që i lypen medeomos me i pasë një mësues i vërtetë. Kështu, zelli i pashoq që tregon në kryerjen e detyrës e aftësia që sidomos kallxon në zhvillimin e mësimit, dëshmojnë se ky nuk ka fare ndryshim prej mësuesve të aftë normalistë të Shkodrës”. Shefqeti nuk e la arsimimin e tij vetëm me gjimnazin turk që mbaroi në vitin 1910-të, por për formimin e tij pedagogjik ai u kujdes vazhdimisht dhe aty nga viti 1915-të, ai kreu një kurs kualifikimi për gjuhën frënge dhe shqipe në Shkollën Tregtare italiane që funksiononte asokohe në qytetin e Shkodrës. Krahas kësaj ai në shtëpinë e tij grumbulloi libra, gazeta, revista dhe fjalorë enciklopedikë, duke pasur një bibliotekë tepër të pasur për kohën, me letërsi pedagogjike, filozofike, letrare shkencore dhe fetare në disa gjuhë të botës, kryesisht arabisht, persisht, turqisht, frengjisht dhe italisht.

Përpjekje për hapjen e gjimnazit në Shkodër

Shefqeti me punën dhe pasionin e tij për përhapjen e arsimit shqip në qytetin e Shkodrës, shumë shpejt fitoi një emër të madh dhe gëzonte shumë respekt te kolegët, nxënësit dhe popullsia e qytetit të tij të lindjes. Kështu në atë kohë ai hyri në lidhje dhe mbajti korespodencë të rregullt me një sërë personalitetesh të asaj kohe të fushave të ndryshme, si arsimit, shkencës, kulturës dhe politikës, si brenda dhe jashtë vendit, duke kërkuar prej tyre ndihmë që edhe në qytetin e Shkodrës të hapej gjimnazi shqip. Kjo u bë më e mprehtë aty nga viti 1920-’22, kur Shefqeti bëri të gjitha përpjekjet për hapjen e gjimnazit të shtetit në Shkodër. Në këtë kuadër ai u shkroi një varg kërkesash dhe peticionesh të cilat jua dërgoi personaliteteve të larta të asaj kohe, si: Rexhep Mitrovicës, Mustafa Krujës, Maliq Bushatit, Mithat Frashërit, Halit Rojit etj. Në mes të tjerash në ato peticione ai shkruante:”Me i pajisë bijtë e shqipes me flatrat e ditunisë, që janë stolitë ma të çmueshme të kësaj jete”. Ai kërkonte arsimim të barabartë si për djemtë ashtu dhe për vajzat, si dhe arsim të detyrueshëm për të gjithë fëmijët si dhe kualifikimet e përgatitjet e tyre edhe jashtë vendit në shkollat më të përparuara të Evropës. Në vitin 1921, në një letër drejtuar Kristo Floqit, Ministrit të Arsimit, Shefqeti në mes të tjerash e kritikonte rëndë atë, sepse nga kontigjenti i djemëve dhe i vajzave që u dërguan jashtë shtetit nuk kishte asnjë nga Shkodra. Në atë letër, mes të tjerash ai i shkruante:” Po e lamë se në qytetin tonë nuk u gjendkan varza myslimane për me i dërgua në shkolla të huja, por as djem nuk u gjindkan? Po më bahet me kujtue se Ministri i Arsimit, nuk ashtë ai Kristo Floqi që njoftëm na këtu në Shkodër, me ide të lira, por një tjetër”?! Por edhe pas kësaj, Shefqeti vazhdoi përpjekjet e tij për të forcuar arsimin në shkollat shtetërore dhe ishte kundër mbylljes që u bë atëhere në disa shkolla të Shkodrës dhe hapjen rrugë të atyre private, dhe për këtë ai i shkroi një letër proteste, Sali Vuçiternit, ku kundërshtonte propozimin e Ministrit të Arsimit, Rexhep Mitrovica, për mbylljen e disa shkollave dhe kualifikimin e mësuesëve. Shkolla e Parrucës ku Shefqeti shërbeu si mësues e drejtor për 20 vite, u bë një nga shkollat më cilësore, jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por dhe në shkallë vendi. Në vitin 1918-të në klasën e tij shkuan për vizitë Konsulli Kral, Mati Logoreci dhe Luigj Gurakuqi, të cilët vlersuan lartë punën e tij.

Burgoset në Itali

Shefqeti ishte shëmbulli i mirkuptim fetar në qytetin e Shkodrës, që asokohe nga elementë të veçantë regresivë kishte gjasa për përçarje. Në atë drejtim, ai bashkpunoi ngushtë me klerikët katolik, si Padër Gjergj Fishta dhe Anton e Mark Harapi, të cilët e patën ndihmuar dhe në përpjekjet e tija për hapjen e gjimnazit shtetëror të Shkodrës. Po kështu ai ishte një nga themeluesit e shoqërisë patriotike, kulturore e sportive “Vllaznia”, e cila u formua në 10 mars të vitit 1910-të, në atë qytet. Kjo shoqëri ku Shefqeti ishte një nga antarët më aktiv që dha një kontribut të madh, kishte për qëllim ngritjen kulturore të rinisë shkodrane nëpërmjet veprimtarive të ndryshme letrare, muzikore, teatrale dhe sportive, si dhe hapjen e shkollave të natës për mësimin e gjuhës shqipe. Aty nga fundi i vitit 1919-të, kur Shefqeti ndodhej në qytetin e Vlorës, si rezultat i aktivitetit të tij politik anti-italian, së bashku me Hys Draçinin, Ymer Ruzhdinë e Halil Berishën, ai u arrestua nga autoritetet italiane të cilat akoma e mbanin të pushtuar Vlorën. Arrestimi i Shefqetit më 19 nëntor të vitit 1919-të, erdhi si pasojë e aktivitetit të tij patriotik, i cili binte ndesh me interesat e italianëve. Shefqeti u mbajt i lidhur në burgun e qytetit deri në 24 janar të 1920-ës dhe më pas ashtu të lidhur duar e këmbë atë e dërguan në Favijano të Siçilisë. Duke e konsideruar si person shumë të rrezikshëm, Shefqetin e mbajtën të burgosur dhe të internuar. Ai protestoi ndaj arrestimit dhe burgosjes së tij duke ju shkruar letra deri dhe ministrit të Jashtëm Italian, Baroni Alioti, dhe kryeministrit Giolitti. Pas 14 muajsh burg, ai u lirua dhe u kthye në Shqipëri më 20. IX. 1920, ku menjëherë rifilloi veprimtarinë e tij për përhapjen e shkollave shqipe në atë qytet dhe rrethinat e tij.

Burgoset nga Noli dhe Jakomoni

Pas mbërritjes në Shqipëri, Shefqet Muka përkrahu pa rezerva Kongresin e Lushnjes dhe për këtë shkruante:”Populli ynë i kallxoi botës së mbrapsht se s’kishte nge me vdekë dhe me u ba darka e të huajve”. Më pas ai çmoi dhe përkrahu Luftën e Vlorës, dhe në letrën që ju dërgoi vullnetarëve që morën pjesë në atë luftë, midis të tjerash shkruante:”Guximi patriotik juaji, ja rriti famën shqiptarëve ndër qarqet e Botës së qytetërueme dhe Shqipnisë”. Një nga të papriturat në jetën e Shefqet Mukës, ishte dhe arrestimi i tij nga qeveria e Fan Nolit që erdhi në fuqi me “Revolucionin e Qershorit” të 1924-ës. Me një propozim të Ministrisë së Arsimit dhe vendim të Qeverisë së kryesuar nga Fan Noli. me nr.228. dt.2.7.1924, ai u pushua nga puna dhe u burgos. Bashkë me Shefqetin u pushua nga puna dhe drejtori i Shkollës së Parrucës, Abaz Golemi dhe drejtori i shkollës së Rusit të Vogël, Rustem Lopçi. Pushimi nga puna dhe burgosja e tyre erdhi sepse ata njiheshin si përkrahës të hapur të ish Ministrit të Brendshëm Ahmet Zogu. Ajo i indinjoi pa masë shumë patriotë shkodranë dhe autoritetet lokale, të cilat kërkuan rikthimin e tyre në punë. Në peticionin që ju dërgua Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrit Fan Noli, në mes të tjerash shkruhej:”Ata janë ndër arsimtarët më të vjetër, më të zotët dhe më energjikët dhe njihen si themeluesit e arsimit Kombëtar të këtij Qarku. Prandaj me largimin e tyre i bahet një dam i madh vendit tonë dhe arsimit kombëtar”. Pas kësaj autoritetet shtetërore të qeverisë së Nolit, u detyruan të anullojnë vendimin e marrë dhe ta lirojnë nga burgu Shefqet Mukën. Gjatë viteve të Monarkisë, Shefqeti punoi si arsimtar dhe drejtor shkolle në qytetin e Shkodrës dhe në vitin 1933 ai erdhi me transferim në Tiranë si drejtor i shkollës “Hoxha Tasim”. Mbas tre vjetësh në këtë shkollë, ai u thirr për të marrë në dorëzim si Drejtor në Strehën Vorfnore në Tiranë. Në këtë institucion ai punoi për afro tre vjet deri në vitin 1939, kur pas një propozimi të bashkëshortes së Jakomonit, ai u pushua nga puna më 5 qershor të atij viti dhe u arrestua si antifashist e u dërgua për katër muaj në Elbasan nga ku e sollën në burgun e Tiranës.

Eksponent i Legalitetit

Pas lirimit nga burgu, Shefqeti u kthye në Shkodër dhe deri në nëntorin e 1944-ës, ai mori pjesë aktive në Lëvizjen Antifashiste si eksponent i Lëvizjes së Legalitetit (duke qenë pjesmarrës në Kongresin që u zhvillua në Zall-Herr), që asokohe drejtohej nga Abaz Kupi. Ai ishte një nga krijuesit e organizatës “Besa Shqiptare” së bashku me nacionalistët Ndoc Çoba, Tef Gera, Kol Kiri, Hysen Lohja, Hys Draçini dhe Xhemal Naipi, mbledhja e së cilës u zhvillua në shtëpinë e Ndoc Çobës. Ajo mbledhje kishte si qëllim bashkimin e të gjitha forcave politike, në mënyrë që të evitohej vëllavrasja dhe të pajtoheshin gjaqet. Në marsin e vitit 1944, po me qëllim që të evitohej lufta vëllavrasëse, në shtëpinë e Gjon Marka Gjonit në Shkodër, u zhvillua një mbledhje tjetër ku morën pjesë organizata “Besa Shqiptare”, “Grupi Indipendent Nacional” dhe “Balli Kombëtar”, ku Shefqeti së bashku me Ndoc Çobën, ishin përfaqsuesit e organizatës “Besa Shqiptare”, kurse dy organizatat e tjera, përfaqsoheshin nga Hafiz Ali Tari, Mark Gjonmarkaj, Lec Kurti dhe Jup Kazazi. Në këtë mbledhje u krijua “Beslidhja e Shkodrës” e cila e zhvilloi aktivitetin e saj deri nga nëntori i vitit 1944, kur krerët kryesorë të organizatave nacionaliste të Legalitetit dhe Ballit Kombëtar, si: Abaz Kupi, Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Faik Quku, Sali Myftia, etj, u detyruan që të largohen nga Shqipëria. Po kështu si eksponent i Legalitetit, gjatë vitit 1944 Shefqeti mori pjesë në të gjitha mbledhjet që zhvilloi paria nacionaliste e Shkodrës, siç ishte ajo e kinema “Rozafat” në muajin maj të atij viti, ku u bë thirrje për të evituar luftën vëllavrasëse dhe për t`ju bërë ballë sulmeve të forcave partizane të Enver Hoxhës.

20 vite në burgun e Burrelit

Pas mbarimit të luftës, duke parë revanshin e madh që komunistët ndërmorën kundër të gjithë kundërshtarëve të tyre që ata i cilësonin si “tradhëtarë dhe armiq të popullit”, Shefqet Muka për dy vjet qëndroi i fshehur në mal. Në kohën që Shefqeti ishte i arratisur, familjen e tij ia internuan në Berat. Në tetorin e vitit 1946 kur qeveria komuniste dha një amnisti për të arratisurit, ai u dorzua vetë, gjë e cila u shpall me sihariq të madh në gazetën “Bashkimi”. Pas një kalvari prej tetë muajsh në hetuesi, ai doli në gjyq së bashku me Xhemal Naipin, Shaqir Omarin, Nexhat Boriçin, Bep Negrin dhe Ismail Elezin. Gjykata Ushtarake e Shkodrës me vendim nr.165. dt. 26.6.1947, e dënoi me burgim të përjetshëm duke e akuzuar si “element besnik i Mbretit Zog dhe organizator i organizatës antikomuniste “Beslidhja e Shkodrës”. Në atë gjyq Shefqet Muka mbajti një qëndrim burrëror, duke ju drejtuar trupit gjykues:”Zotërinj të pushtetit, veprimtarinë time nuk e quaj tradhëti, sepse s`kam ba tradhëti që të pendohem e të dënohem. “Besa Shqiptare” dhe “Beslidhja e Shkodrës”, nuk kanë qenë organizata tradhëtare”. Më pas vendimi i gjyqit nga i përjetshëm, ju zbrit në 25 vjet të cilat Shefqeti i vuajti në burgun e tmershëm të Burrelit, duke bërë 20 vjet, pasi 5 vite u  ulën me një amnisti. Nga ferri i Burrelit, Shefqet Muka doli në moshën 78 vjeçare, në shtatorin e vitit 1965 dhe pas një viti e gjysëm, në janarin e 1967-ës ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij në qytetin e Shkodrës. Ndonëse asokohe situata e lufta e klasave ishte tepër e acaruar dhe Shefqeti ishte i shpallur si armik, në varrimin e tij atë ditë të ftohtë dimri, morën pjesë me mijra besimtarë të besimeve të ndryshme, ku nuk munguan klerikët si: At Frano Kiri, Padër Mark Harapi, Hafiz Sabri Beg Bushati, Hafiz Halit Tari, Hafiz Xhevdet Zylja, etj./Memorie.al