Shkrirja e dy gjykatave në Shkodër, asaj të Apelit dhe Administrative e Shkallës së Parë, në zbatim të hyrjes në fuqi të hartës së re gjyqësore, nuk mund të mos shoqërohej edhe me rritjen e tarifave nga ana e avokatëve për të gjitha çështjet, e po ashtu edhe me vonesa të mëdha në dhënien e drejtësisë. Në lidhje me ndryshimin e tarifave ka reaguar Dhoma e Avokatisë Shkodër nëpërmjet kreut të saj Anton Kosteri, i cili tregon se tarifat janë dyfishuar, sepse janë shtuar kostot e transportit nga rritja e distancës së gjykatave.
Dhoma e Avokatisë shpreson që Gjykata Kushtetuese të marrë parasysh kërkesat e tyre dhe të shfuqizojë vendimin e hartës së re gjyqësore, e cila sipas avokatit Kosteri nuk ndikoi aspak në uljen e dosjeve, por solli rritjen e tarifave të shërbimit nga ana e avokatëve.
Vendimi për reformën e re të hartës gjyqësore është vlerësuar antikushtetues nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë dhe është kërkuar shfuqizimi në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë shqyrtimi i kërkesës tashmë ka nisur në Gjykatën Kushtetuese dhe seanca e radhës do të jetë në 7 dhjetor.