Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka reaguar të enjten me një deklaratë zyrtare ndaj kërkesave të përsëritura që ky institucion të ndërhyjë ndaj valës e rritjes së çmimeve të konsumit që ka përfshirë ekonominë.
Në qëndrimin e vet, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se që prej datës 25 shkurt ka marrë vendim për nisjen e procedurës së hetimit në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve dhe do ta ndjekë këtë proces sipas hapave ligjorë.
Megjithatë, ky institucion saktëson se ligji nuk i ka dhënë një mandat të drejtëpërdrejtë në funksion të roli të mbrojtjes së konsumatorit. Ndikimi i Autoritetit të Konkurrencës në këtë prizëm mund të bëhet vetëm në mënyrë të tërhtortë, nëpërmjet mbrojtjes së konkurrencës së lirë dhe efektive në treg.
“Ne jemi të vetëdijshëm dhe e kuptojmë, se në këto periudha krizash të njëpasnjëshme, pa marrë parasysh arsye objektive, kryesisht qytetarët, por edhe politikanët, pretendojnë nga autoritetet që të ndërhyjnë dhe të ulin çmimet, por në lidhje me Autoritetin e Konkurrencës këto pretendime janë të arsyeshme vetëm nëse ndërmarrje të caktuara spekulojnë me çmimet duke shtrembruar konkurrencën,” thuhet në deklaratën e këtij institucioni.
AK shprehet se sot ka fare pak autoritete konkurrence, të cilat janë ngarkuar nga ligji, e si rrjedhim, kanë edhe instrumente për të ndikuar mbi çmimet abuzive, kur ngritja e çmimeve nuk ka lidhje me konkurrencën.
Sipas AK, shumica e autoriteteve të konkurrencës në botë, ndërmjet tyre edhe Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës, nuk janë projektuar ligjërisht për të luftuar çmimet abuzive në vetvete, kur këto çmime nuk janë pasojë e shfrytëzimit të pozitës dominuese në treg të një a më shumë ndërmarrjeve apo marrëveshjeve të ndaluara.
“Pra, duhet me patjetër që të provohet abuzimi me pozitën dominuese dhe jo thjesht abuzimi, që Autoriteti i Konkurrencës të ketë mundësi ligjore të ndërhyjë; duhet me patjetër të provohet se mes ndërmarrjeve në një treg të caktuar ka një marrëveshje të ndaluar apo sjellje të bashkërenduar për të ngritur (apo edhe ulur) çmimet në mënyrë abuzive, që Autoriteti i Konkurrencës të ketë mundësi ligjore të ndërhyjë.
Në çdo rast, për të risjellë konkurrencën, jo çmimet si qëllim në vetvete, në parametra efektive,” shprehet Autoriteti i Konkurrencës.
Sipas këtij institucioni, disa nga kërkesat publike të artikuluara në ditët e fundit duhet ti drejtohen institucioneve të tjera që kanë lidhje me mbrojtjen e konsumatorit dhe të cilat zotërojnë mekanizmat ligjore për të reaguar direkt ndaj fenomenit të abuzimit me çmimet në tregje.
Deklarata nënvizon se shumica absolute e autoriteteve të konkurrencës nuk kanë as hapësirën ligjore, por as burimet njerëzore, ekspertizën përkatëse dhe informacionin e përditshëm e të gjithanshëm për të qenë edhe autoritet për rregullimin e çmimeve.
“Në këto raste, kur përmes legjislacionit për mbrojtjen e konkurrencës është e pamundur ndërhyrja për rregullimin e çmimeve, shtetet moderne, të quajtura edhe si “shtete të mirëqenies sociale”, kanë adoptuar me legjislacion instrumenta të tjera që sigurojnë stabilizimin e përkohshëm të disa çmimeve, veçanërisht ato që konsiderohen si “të shportës” e që janë tepër të ndjeshme për qytetarët, apo për subvencionimin e disa shërbimeve publike për shtresat në nevojë,” thuhet në qëndrimin e Autoritetit të Konkurrencës./Monitor/