Asnjë ndryshim tarifash pa paralajmërim. Ashpërsohen rregullat për kompanitë celulare, çdo modifikim bëhet publik 30 ditë përpara

Shpërndaje

Kompanitë celulare do të kenë detyrim të publikojnë në faqet e tyre të internetit termat dhe kushtet e përgjithshme të kontratës standarde dhe çdo ndryshim të tyre të paktën 30 ditë përpara hyrjes në fuqi të tyre, dhe sipërmarrësi ka detyrimin e njoftimit me shkrim nëpërmjet një mjeti të qëndrueshëm secilit pajtimtar të prekur nga ndryshimet. Detyrimi vjen përmes rregullave të reja të vendosura nga AKEP në emër të mbrojtjes së konsumatorit të cilat tashmë janë në fazën e konsultimit publik.

Më tej AKEP përcakton se Publikimi në faqen ëeb kryhet nga kompanitë në një seksion lehtësisht të aksesueshëm dhe dallueshëm nga konsumatorët dhe përdoruesit e tjerë fundorë, duke përfshirë në këtë publikim dhe: datën e hyrjes në fuqi tyre; detaje të kontaktit të  sipërmarrësit si numër telefoni, adresë email-i, për të venë në dispozicion të personave me aftësi të kufizuar versionin në ‘large print’ ose ‘braille’ të dokumentit të publikuar.

Nga ana tjetër, kompanitë e shërbimeve publike të komunikimeve do të kenë detyrim që 15 ditë para publikimit të termave dhe kushteve të përgjithshme të kontratës tip apo ndryshimeve të tyre, t’ia paraqesin ato

AKEP-it për vlerësim. Për të demonstruar përputhshmërinë me kërkesat e informacionit kontraktual dhe parakontraktual sipas përcaktimeve në nenin 4 më sipër, kopja e kontratës tip që dërgohet në AKEP, përmban termat dhe kushtet e përgjithshme të saj, përfshirë planet tarifore/kategorinë e përdoruesve për të cilat aplikohen ato, dhe informacionin që i vihet në dispozicion pajtimtarëve.

AKEP, nëpërmjet strukturës përkatëse për mbrojtjen e konsumatorit, kryen vlerësimin e informacionit dhe ka të drejtë të kërkojë ndryshime të termave dhe kushteve të përgjithshme dhe elementëve të tjerë të kontratës tip të operatorit, nëse ato nuk janë në përputhje me përcaktimet e Ligjit për komunikmet elektronike.

Por, pavarësisht sa më sipër, AKEP ka të drejtë që në çdo kohë, sipas përcaktimeve dhe procedurave ligjore dhe nën-ligjore të aplikueshme, të kërkojë nga sipërmarrësi ndryshimin e termave dhe kushteve të përgjithshme të kontratës tip, nëse ato nuk janë në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator të aplikueshëm.

Lorenc Rabeta / SCAN

Shpërndaje