Artizania nga Shkodra dhuron maska mbrojtëse për Policinë e Beratit…

Shpërndaje

Në këto ditë të vështira për të gjithë vendin për shkak të përhapjes së COVID-19, shembujt human në qytetin e Shkodrës në ndihmë të përballimit të kësaj pandemie, përcjellin optimizëm e thyejnë tablonë e zymtë të këtyre ditëve. Ardiana Handraj, një artizane nga Shkodra ka ndërmarrë një nismë personale për të prodhuar maska falas.

Pas mbylljes së biznesit të saj për shkak të pandemisë, profesionin e saj e ka kthyer në shërbim të qytetarëve.

“Sa blen një maskë, të blej një bukë. Me punu te puna e artizanatit nuk është mirë, edhe u detyruam ta mbyllim edhe biznesin e vogël që kam. Thashë më mirë të punoj për këta njerëz sadopak, sepse kjo është gjë e vogël që mundem t’i ndihmoj, sepse dëshira është e madhe për t’i ndihmuar edhe me shumë gjëra, por kaq janë mundësitë”, u shpreh ajo.

Përveç qytetarëve të Shkodrës, Ariana u ka ardhur në ndihmë forcave të policisë të qytetit të Beratit, duke dhuruar një sasi maskash për t’u ndjerë sa më të sigurt në shërbim të qytetarëve.

Misionarja e paqes shpreson që nga distancimi social i këtyre ditëve, të kuptojmë vlerën e një përqafimi me njerëzit tanë të dashur që aq shumë na mungojnë këto ditë të vështira .

“Edhe kjo largësia dhe ky vetëizolimi, do Zoti i ka ngrohur njerëzit dhe iu ka dhënë shumë e më shumë dashuri, afrimitet dhe vlerësim. Unë besoj se ka për të ndryshuar shumë më shumë se çdo gjë që ka qenë përpara”, tha ajo.

Shpërndaje