Gazetari investigativ Artan Hoxha ka komentuar konferencën e përbashkët mes policisë së Shtetit dhe asaj italiane për kultivimin e lëndëve narkotike në vendin tonë.
Hoxha është shprehur se vërtet mund të jetë bërë sekuestrimi i shumë parcelave të kanabisit, por që e vërteta është se prodhimi është rritur shumë dhe tashmë lënda narkotike mund të gjendet lehtësisht kudo.
Ndër të tjera ai ka theksuar se në këto parcela kultivimi mund të jenë të punësuar rreth 20 mijë punëtorë sezonale.
“Doja të dhëna më të sakta por ato që më ngelen janë 70 fluturimet dhe janë identifikuar 1119 parcela që dhe domate po të ishin do të ndikonin në çmimin e tregut të shumicës së perimeve jo më kur flasim për plantacionet e kanabisit. Duhet të mendojmë sa para janë hedhur, sa punëtorë kanë qenë aty dhe unë që e kam idenë është një shifër e frikshme që shkon rreth 20 mijë shqiptarë që janë marrë me kultivimin e lëndëve narkotike. shpesh thuhet se nuk duhet të merremi me to se sigurojnë bukën e gojës, por harrojnë se ato e shesin në dyert e shkollave dhe shkatërrojnë fëmijët tanë.
Ne fillim ato ishin në shkollat e larta, kaluan te e mesmja dhe sot kemi dhe në shkollat 9-vjeçare që në fillim për ti tërhequr ua japin edhe falas. Tashmë është shumë e lehtë që të gjendet kanabis, dhe për këtë nuk është e nevojshme që të kemi raportim nga autoritetet italiane pasi një gjë që ka shumë prodhim trego se gjendet dhe shumë lehtë.
U dha një shifër prej 92 mijë rrënjësh që janë asgjësuar, dhe një shifër e madhe e asgjësuar por një shifër e vogël krahasuar me sipërfaqet. Është e dhënë e rëndësishme monitorimi që bëhet nga ajri, por nuk më pëlqen elementi se në territorin italian nuk është kapur asnjë kg kanabis”, ka thënë gazetari.
Sipas gazetarit vlen të theksohet se monitorimi nga ajri nga avioni italian nuk e ka ndaluar kultivimin e parcelave të kanabisit, pasi së fundmi në vendin tonë është futur Gorilla farë spanjolle e cila për 60 ditë jep prodhimin e saj.
Gjithashtu ai ka treguar se parcela e fundit që ai ka filmuar është mbjellë pas monitorimit të bërë në fillim të korrikut në atë zonë dhe brenda afatit që dha kryeministri Rama për 100 ditë për policinë.
Hoxha ka theksuar se siç policia përpiqet që të monitorojë nga ajri, janë dhe grupet kriminale që marrin informacion dhe dinë dhe itinerarin e lëvizjes së avionëve.
“Por pamjet tregojnë të kundërtën, “Gorilla” është një fare e re e ardhur nga Spanja që ka efekt 25 % te përdoruesit më shumë se ajo e vjetra, ka çmimin më të lartë dhe vegjetacion shumë të shkurtër për 60 ditë ti merr prodhimin ndërsa fara tjetër donte 5-6 muaj. Kjo është një farë e futur sivjet dhe unë këtë e kam konstatuar brenda afatit që ka lënë kryeministri që kanë 100 ditë kohë, dhe nga momenti që e tha kryeministri për 60 ditë kjo është kultivuar dhe është marrë prodhimi. Kjo krijon një problem me të dhënat e dhëna nga Guarda Di Financa. Ato që kanë plantacion kanë dhe informacion për monitorimin ajror, pasi avioni që vjen nga Italia e ka një plan se ku do të fluturojë, dhe trafikantët e monitorojnë avionin.
Pajisja që ka avioni skanon në vertikal, kalon aty dhe e skanon. Parcela që kam nxjerrë unë ndodhet në një zonë të pyllëzuar në një zonë me pyll halor dhe në momentin që ka kaluar avioni dhe është bërë monitorimi kjo zonë figuronte livadh. Në korrik kur avioni ka kaluar aty ka qenë livadh më pas është kultivuar kjo bimë. Ashtu siç policia përpiqet që të sofistikojë pajisjet, krimi i organizuar është në pararojë të saj. Ato nuk e ruajnë si më parë me pushke, por me pajisje. Gjatë verës unë kam theksuar se në malet ku është kultivuar kanabis nuk kishte kanabis, Shqipëria në jug u dogj por nuk kishte kanabis. Djegia e masiveve pyjore u krijonte problem për zbulimin e parcelave ndaj përdornin çdo lloj mënyrë për të shuar zjarrin”, ka thënë ai.