FSHF ka vendosur të ndryshojë një pjes të mirë të trajnerëve të përfaqësueseve të moshave, ndërsa ka zyrtarizuar emra të rinj ku ka jo pak surpriza. Institucioni i futbollit ka publikuar sot emrat e trajnerëve që nga përfaqësuesja U21 e deri te ajo U15 dhe janë prekur thuajse të gjitha ekipet.
Kombëtarja Shpresa nuk do të ndryshojë, me Alban Bushin i cili është konfirmuar për një tjetër edicion në krye të saj. Por ai ka hunbur krahun e tij të djathtë, pasi Ilias Haxhiraj është emëruar trajneri i përfaqësueses U20.
Ndërkohë tek U19, vendin e lënë bosh nga Nevil Dede, do ta zërë Armando Cungu. Trajneri me emër në Superiore ku në këto vite ka drejtuar me sukses skuadra si Kukësi, Laçi e Vllaznia, duket se ka vendosur që të provojë këtë aventurë të re, duke u larguar nga futbolli i klubeve.
Një emër shumë i njohur është edhe ai që do të drejtojë kombëtaren U18, pasi në stol është emëruar Ardi Behari, ish-futbollist e drejtues për shumë vite te Flamurtari.
Surpriza më e madhe ka qenë ajo e Evrin Bulkut, i cili është emëruar në pankinën e përfaqësueses U17, në vend të Elvin Beqirit. Bulku ka qenë pjesë e stafit të përfaqësueses A, por duket se nuk do të jetë më në krah të Edi Rejas si bashkëpunëtori i tij për kampionatin shqiptar.
Ndërkaq, në stolin e përfaqësues U16 është vendosur Agron Kërçova kurse ka mbijetuar te U15 një emër i besuar i Armand Dukës, Armand Dama.