72 orët në qeli për 32-vjeçarin që u arrestua pse i kishte skaduar leja e pazarit kanë qenë të vështira. Ai thotë se në paraburgim e kanë keqtrajtuar dhe i kanë mohuar të drejtat. Arbër Stefa, mjek në profesion thotë se ka menduar të largohet nga vendi pas kësaj.
Ky është Arbër Stefa, 32-vjeçari nga Fieri që kaloi 72 orë në qeli, i arrestuar pasi doli të blejë bukë pa leje për prindërit pensionistë.
Prezantimi me një kartë të urdhrit të mjekut, thotë se i kushtoi ofendime nga policët që me pas e vunë në pranga për shkak se leja në e-Albania i kishte skaduar.
Arbër Stefa: Në moment unë i kam nxjerrë këtë kartë. Një nga ata policat më ka thënë shko….(fjalë ofenduese). Unë i kam thënë çfarë jeni? Jeni policia apo nuk e di. Ata më janë kundërvënë, duke më thënë do të arrestojmë, do të fusim brenda. Më kanë kapur nga krahët sikur jam ndonjë kriminel. Kisha dy bukë.
Bukët për prindërit shkuan në shtëpi, por 32 vjeçari përfundoi në qeli, thotë se u trajtua në shkelje të drejtave.
Arbër Stefa: Nuk më kanë trajtuar mirë. Më kanë sharë, më kanë ofenduar, më kanë marrë telefonin dhe unë nuk kisha të drejtë. Unë mund të kryej çdo krim, por është e drejta ime të marrë në telefon avokatin, apo të lajmëroj shtëpinë.
Në prokurori i kanë sekuestruar edhe celularin, duke e bërë që tashmë të lëvizë pa leje dhe të rrezikojë sërish arrestimin.
Arbër Stefa: Shkova në prokurori, por shkova pa leje. Policia mund të më arrestojë përsëri.
Stefa u akuzua për kundërshtim të forcave të policisë, por për mediat, ka një tjetër variant. Ai nge pretendime se një fakt është i dhunuari në këtë histori, ku zbardhjen e të vërtetës thotë se do ta kërkojë deri në fund.
Arbër Stefa: Gjoja sikur unë i kisha sharë, ofenduar, sikur isha futur me forcë në makinë. Aty ka kamera dhe është e verifikueshme nëse unë i kam kundërshtuar apo jo ata.
32-vjeçari thotë se kjo ngjarje i ka shtuar mendimin për të ikur nga vendi.
Arbër Stefa: Kriminelët që vrasin nga 2-3 në ditë dhe rrëmbejnë persona jetojnë të lirë, kurse njerëzit hallexhinj për ujë për drita për të dalë për të blerë bukë arrestohen.
/Ora News.tv/