Në komisionet parlamentare pritet të miratohen sot dy projektligjet e shumëdebatuara nga organizatat e shoqërisë civile, e njohur ndryshe si paketa “Antishpifje”. Pas përfundimit të seancave dëgjimore, dy komisionet përgjegjëse, ai për arsimin dhe mjetet e informimit publike dhe ai për veprimtaritë prodhuese, tregtinë dhe mjedisin do të miratojnë nen për nen dy nismat ligjore për t’ia kaluar për shqyrtim seancës plenare.
Pavarësisht shumë kundërshtive të organizatave të shoqërisë civile, duket se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë të vendosur për të vijuar përpara me miratimin e paketës “Antishpifje” përpara mbylljes së vitit 2019.
Nga ana tjetër, zërat kundër të ashtuquajturës paketa ‘Antishpifje’ kanë ardhur duke u shtuar. Një grup organizatash nga vende të ndryshme të botës i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare të tërheqë paketën ligjore “Antishpifje” që i është propozuar Kuvendit.
Rrjeti “Platforma Solidaritetit” vendos theksin tek fakti që kjo paketë ligjore nuk përputhjet me angazhimet që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të kryesimit të OSBE-së. Organizatat vendosin theksin se, në kryesimin e OSBE-së Shqipëria duhet të jetë një model për vendet e tjera që zbatojnë angazhimet në kuadër të OSBE-së, sa i takon respektimit të medias së lirë.
Diskutimi i paketës “Antishpifje” është shoqëruar me tension dhe debate të shumta e të vazhdueshme mes përfaqësuesve të medias dhe deputetëve në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
Përfaqësues të shoqatave të medias, duke kundërshtuar draftin, kanë deklaruan se me këtë projektligj po cenohet liria e mediave dhe vendi po kthehet pas, në diktaturë.