Anti-islamizmi opozitar si shkelje syri ndaj Perëndimit…

Shpërndaje

Nga: Marlind Laçi

Në diskutimet intelektuale të momentit e deri tek konspiracionet më të rëndomta në debatin publik shqiptar ka zënë vend beteja që po kryhet për postin e lidershipit të partisë më të madhe opozitare në vend. Përtej kësaj ane të medaljes kaq normale në dukje për sa i përket proçeseve politike që çdo parti mund t’i kalojë gjatë jetëgjatësisë së saj, ana tjetër e medaljes shfaqet e implikuar rëndë me ofendime, etiketime, pezhorative e deri tek tendenca për t’a përzier dhe për ta përdorur retorikën politike si formë ofendimi më ekstreme ndaj muslimanëve shqiptar.
Duke u bazuar në shfaqjet islamofobe dhe auto-islamofobe praktikisht të aktivistes Evi Angelakis dhe analistit Vehap Kola në një nga emisionet politike të mbrëmjes, në një nga mediat shqiptare, të qënit musliman u servir sikur e gjithë idelologjia dhe dogma fetare Islame të ishte ekuivalente vetëm me ekstremin negativ të virtyteteve njerëzore. ‘Ekstremist,taleban, dumbabist, fondamentalist, erodganist, erbakanist, neo-otoman, vëllazëri muslimane, ekstremist musliman, hamasist’ këto janë një duzinë etiketimesh që dëgjohen rëndomtë në median dhe në politikën shqiptare që fatkeqësisht sot me personazhet që po promovohen kanë marrë në dorë propagandën anti-islame, njëjtë si në kohën kur Adolf Hitler dhe Ministri i tij i Propagandës Joseph Goebbles e servirnin dhunën ndaj hebrenjve si normale, ku e gjithë urrejtja propagandistike prodhoi krematoriumet mediatikisht si vende totalisht normale. Sigurisht këto etiketime lindin si nevojë e një shantazhi social ndaj muslimanëve shqiptar që kështu, në qoftë se një muslimani i lind dëshira të ‘turbullojë’ ujin e politikës shqiptare, ta mendojë mirë se përballë kujt propagande po vepron. Të qenit musliman në Shqipëri ka peripecitë dhe kusuret e veta dhe se sa të merremi me Zonjën Angelakis (lobuesen e zjarrtë të lobit grek në Washington), ajo çka duhet të dijnë shqiptarët është se nga kush i huazojnë këto ofendime me prapavijë fashiste politikanët dhe personazhet publik shqiptar.
Në kohën e gjenocidit të shqiptarëve të Kosovës, ustallarët e sllavo-ortodoksizmit serb Vuk Drašković dhe Vojislav Šešel gjatë protestave të tyre ndaj Sllobdoan Milloshević si ofendimin më të rëndë ndaj tij përdornin sloganin ‘SLLOBO TI JE MUSLIMAN’, që kështu t’a nxisnin për vrasje akoma më masive ndaj muslimanëve shqiptar dhe boshnjak. Si mundet një shqiptar të eci në të njëjtën linjë me kësisoj ofendimesh që pikën e burimit e kanë në Beograd? Si mundet një shqiptar të adoptojë shprehje serbe për të ofenduar dikë? Si mundet një shqiptar të intimidojë dikë duke përdorur sllogane të ngjashme me babain e nacionalizmit ekstrem serb Vuk Drašković?

Përveç këtyre shfaqjeve të anti-islamizmit dhe auto-anti-islamizmit nga personazhe publike, gjatë orëve që lam nga fronti propagandistik i Sali Berishës qarkulloi një formë ‘newspaper’ ku ndër të tjera implikonte disa eksponentë të ‘Vëllazërisë Muslimane’ të importuar nga Maqedonia e Veriut në brëndësinë e bunkerit të Partisë Demokratike. Kaq mjaftoi për të alarmuar Çim Pekën dhe agjensitë e huaja për të dalë në përfundime se Islami Politik është një rrezik permanent për Shqipërinë. Fillimisht orkestra propagandistike e Berishës, duke i’u referuar ish-shefit të departamentit të CIA për Lindjen e Mesme në veprën e tij ‘Islami Politik dhe e ardhmja e tij’ për konceptin e ‘Islamit Politik’ që gjërësisht përfaqësohet nga organizata ‘Vëllazëria Muslimane'(Ikwhan ul Muslimin ose Muslim Brotherhood) shprehet si më poshtë ‘Islami Politik nuk është aq shumë për ruajtjen e së tashmes apo të së kaluarës por është një lëvizje moderne që kërkon ndryshim’. Në një paragraf tjetër shprehet se ‘Islamistët, duke qenë jashtë pushtetit, po bëhen avokatët kryesorë të koncepteve të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, sepse ata janë viktimat të mungesës së tyre.’ Duke u referuar tek këto fragmente të Graham Fuller dalim në përfundime se islamistët, erdoganistët, erbakanistët që Sali Berisha na i servir si gogoli për të vënë në gjumë fëmijët nuk na qenkan kaq regresistë në shoqëritë e civilizuara. Nuk duhet të lëmë pa përmendur as se si Muhamed Morsi, ish-Presidenti i Egjiptit ishte i pari President i ardhur në pushtet me forma legjitime dhe demokratike. Nuk duhet të harrojmë transformimin e Turqisë nga një vend ku çdo 10 vite ndodhte një puç ushtarak në një vend me demokraci, ku një lider me ngjyrime islamiste si Erdogan vendosi korniza të reja konceptuale mbarëpopullore të demokracisë turke, ku qeveritë prodhohen nga zgjedhjet dhe jo nga çizmet ushtarake. Së fundmi nuk dua të le pa përmendur edhe përdorimin e termit ‘dumbabist’ rëndomtë nga deputetja Flutura Açka. Nuk është hera e parë që zonja Açka konsumon terma anti-islam a thua se të gjithë muslimanët dhe i gjithë zhvillimi i tyre politik varet nga aventura dy mujore më 1914 e një fshtari nga Vaqarri. Për të mos u treguar i pandershëm me publikun që më lexon dua të përmend edhe ‘lajkat’ që i bëhen muslimanëve shqiptar kur duan të ‘ledhatojnë’ pjesën ‘post-kolionaliste’ të tyre përdorin termin ‘muslimanët e ndershëm të këtij vendi’. Me këtë terminologji individë të tillë nënkuptojnë muslimanët që nuk meren me politikë e janë të padëmshëm për synimet e tyre mbi pushtetit. Njëkohësisht do të thotë se muslimanët që merren me politikë janë jo të ndershëm. Këto mesazhe të kodifikuara politike më kujtojnë Nexhmedin Erbakan kur shprehej se: ‘Ata përpiqen t’i shndërrojnë muslimanët në robër që vetëm falin namaz. Atëherë, ç’duhet të bëjmë? Në drejtësi ekziston një rregull “Argumenti më i fuqishëm është dëshmia e armikut”. Meqë armiku më së shumti friksohet nga përpjekja (politika) atëherë ne më së shumti do të orientohemi në atë drejtim’. Islami nuk është i vetmi që merr pjesë në mënyrën aktive në politikë për çështjen politike e sociale, mjafton të përmendet kolonia katolikocentriste brenda Partisë Demokratike për të kuptuar të kundërtën. Ne muslimanët shqiptar jemi pjesë identitare dhe pjesa më kontribuese në konceptin e gjenezës së shqiptarizmit dhe si të tillë nuk do lejojmë të trajtohemi si çiban kancerogjen në këtë Shqipërinë tonë që çorap nuk e kanë bërë kurrë muslimanët por komunistët kongenital si Fatos Nano, Sali Berisha, Edi Rama, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Erjon Veliaj.

Shpërndaje