Rënia e nivelit të liqenit të Shkodrës ka nxjerrë sërish në sipërfaqe anijen avullore ushtarake austro–hungareze, e cila mendohet se i përket shekullit të 19-të. Historiani Zamir Tafilica i ka propozuar arkitektit Hezus Fernandez, i cili ka hartuar projektin e Muzeut “Marubi” dhe sheshin e Shirokës, që kjo anije të nxirret nga liqeni dhe të vendoset në Muzeun e Lundrimit, i cili është parashikuar të ndërtohet tek Ura e Bunës.
Anija është ruajtur në gjendje të mirë nën ujë dhe i vetmi dëmtim që ka pësuar është në pjesën e poshtme, aty ku ka marrë edhe goditje nga një mjet shpërthyes, që i ka shkaktuar edhe mbytjen.
Anija ndodhet prej vitesh nën pushtetin e barishteve dhe mbetjeve të tjera, por gjithçka është gjetur në këtë anije i është dërguar me një raport të saktë, Ministrisë së Kulturës. Ajo ruhet në ujërat e liqenit si diçka me vlerë për të cilën duhet të kujdesen organizmat përkatës për ta kthyer në një objekt të vizitueshëm dhe me vlera historike.