Angoni: Sot dua të falenderoj gjithësecilin prej jush, një e nga një që më dhatë besimin dhe mbështetjen time për Shkodrën…

Shpërndaje

Të nderuar bashkëqytetarë të Shkodrës dhe të njësive administrative.

Sot dua të falenderoj gjithësecilin prej jush, një e nga një që më dhatë besimin dhe mbështetjen time për Shkodrën.

Këto ditë ishin një përvojë e pashlyeshme, si shprehje e një përpjekje të përbashkët për të jetësuar ëndrrën për një Shkodër tjetër, në një realitet të vështirë.

Kjo ishte një betejë jo e lehtë për të ardhmen ku Shkodra foli hapur duke vendosur atë që mendon se është më e mira për të.

Mirënjohje edhe njëherë për qytetarinë e treguar në këtë proces shembull të shprehjes së vullnetit të lirë, duke vendosur standardin demokratik si një normë shoqërore që dikton edhe të ardhmen e qytetit ku jetojmë.

Mungesa jo e vogël pjesëmarrjes së qytetarëve dhe veçanërisht e të rinjve në këto zgjedhje të pjesshme vendore, është një këmbanë alarmi se kemi ende shumë punë, për t’i kthyer besimin çdo individi, te mekanizmi politik si instrument dhe zgjidhje në dorën e qytetarit.

Asnjëherë nuk është vonë që Shkodra të zgjohet nga hijet pengmarrëse të së shkuarës e të shohë me forcën e besimit dhe të vizionit largpamës, të tashmen dhe të nesërmen që meriton.

Faleminderit të gjithë qytetarëve, mbështetësve e të angazhuareve të kësaj fushate, strukturave partiake, simpatizantëve, medias, por edhe ekipit tim e sidomos familjes sime, që sakrifikuan shumë energji zemre në këtë rrugëtim tonin të përbashkët.

Uroj që Shkodra të dalë gjithmonë e fituar dhe shkodranët gjithmonë të pazhgënjyer!

Faleminderit nga zemra! 🙏🏻

Shpërndaje