Sot antaret e Urdhrit te Psikologut ne oren 10.00 do ti dorezojne KM nje peticion me 348 firma per shkeljet e ish presidentes dhe shkeljet qe jane bere deri ne keto momente. Kujtojme se ne shkurt antaret kane dorezuar nje kallezim penal per ish presidenten Znj Treska.
Peticoini i plotë:
Ky eshte nje peticion drejtuar kryeministrit z. Edi Rama per ceshtjen serioze dhe situaten aktuale te psikologeve ne Shqiperi dhe urdhrit profesional perkates.
NA NDIHMONI TE VENDOSIM NE VEND DINJITETIN E PSIKOLOGEVE NE SHQIPERI!
Drejtuar: Shkëlqesisë së tij, Z. Edi Rama, Kryeministër
Për Dijeni: Znj. Albana Koçiu, Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Znj. Ogerta Manastirliu, Ministër i Arsimit dhe Sportit
Z. Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë
Z. Niko Peleshi, Ministër i Mbrojtjes
Lënda: Peticion mbi Shkarkimin e Presidentes së Urdhrit të Psikologut
Dërguesit: Asambleja e Psikologëve të Shqipërisë
I nderuar kryeministër, Z. Edi Rama
Po ju shkruajmë me shumë shqetësim lidhur me gjendjen aktuale të Urdhrit të Psikologëve në Shqipëri. Si anëtarë të përkushtuar të komunitetit të psikologëve, ndihemi të detyruar të trajtojmë sfidat e shumta që janë shfaqur dhe të kërkojmë ndërhyrjen tuaj urgjente për zgjidhjen e këtyre çështjeve.
Gjatë viteve të fundit, funksionimi i Urdhrit të Psikologëve ka qenë i mbushur me çështje të diskutueshme dhe mosmarrëveshje ligjore që kanë penguar ndjeshëm aftësinë e këtij institucioni për të përfaqësuar dhe rregulluar në mënyrë efektive profesionin e psikologjisë. Mandati i presidentes znj. Valbona Treska, është karakterizuar nga mosmarrëveshje të brendshme dhe sfida ligjore lidhur me emërimin e saj dhe vendimet pasuese të drejtimit. Këto mosmarrëveshje jo vetëm që kanë shkaktuar një përçarje midis entit të UP dhe Anëtarëve të urdhrit, por gjithashtu kanë dëmtuar besueshmërinë dhe aftësinë e tij për t’i shërbyer interesave më të mira të anëtarëve të tij dhe publikut në përgjithësi.
Veprimet e ndërmarra nga Urdhri i Psikologëve, veçanërisht me ngritjen e Komisionit të Edukimit në Vazhdim (KEVP) dhe miratimin e Rregullores së Edukimit në Vazhdim, janë vënë në pikëpyetje për ligjshmërinë dhe përputhshmërinë e tyre me kuadrin ligjor ekzistues që drejton organet profesionale. Tejkalimi i autoritetit dhe mungesa e respektimit të procesit të duhur në këto çështje kanë ngritur shqetësime serioze në lidhje me angazhimin e urdhrit për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të vepruar në interesin më të mirë të anëtarëve të tij dhe publikut.
Përveç çështjeve të drejtimit, ka pasur shqetësime të rëndësishme financiare dhe operacionale lidhur me Urdhrin e Psikologëve. Vendosja e kurseve të detyrueshme të trajnimit dhe tarifave shoqëruese tepër të larta, pa menaxhim financiar transparent dhe të përgjegjshëm ka çuar në akuza për shfrytëzim financiar dhe sjellje joetike ndaj Znj. Valbona Treska. Është e domosdoshme që të rikthehet integriteti financiar dhe llogaridhënia për të siguruar që burimet financiare të përdoren për përmirësimin e profesionit dhe mbrojtjen e interesave të anëtarëve.
Gjendja e Urdhrit të Psikologëve ka krijuar një ndjenjë shqetësimi dhe zhgënjimi brenda komunitetit të psikologjisë në Shqipëri. Është thelbësore që këto çështje të adresohen dhe korrigjohen për të nxitur një mjedis uniteti, transparence dhe sjelljeje etike brenda urdhërit dhe komunitetit të psikologëve. Për më tepër, zgjidhja e këtyre ankesave të brendshme është thelbësore për të garantuar ruajtjen e standardeve të larta profesionale në ofrimin e shërbimeve psikologjike për popullatën.
Po Ju parashtrojmë disa fakte se si urdhri psikologut vepron në paligjshmëri:
A. Urdhri i Psikologut (UP) në RSH organizohet e funksionon në bazë të Ligjit Nr. 40/2016 “Për Urdhrin e Psikologut në Republikën e Shqipërisë”. Në UP, me vendimin e Këshillit Kombëtar nr. 9, datë 21.11.2018, është miratuar ngritja e Komisionit të Edukimit në Vazhdim (KEVP) dhe me vendimin e Këshillit Kombëtar të UP nr. 10, datë 04.12.2018, “Për ngritjen e Komisionit të Edukimit në Vazhdim”(KEVP), është miratuar Rregullore e Edukimit në Vazhdim në Psikologji, e cila në bazë të ligjit 40/2016 duhet të ishte miratuar nga Asambleja Kombëtare që është organi më i lartë drejtues i Urdhrit dhe përbëhet nga tërësia e anëtarëve të Urdhrit (neni 15) dhe duhet të jetë hartuar nga Këshilli Kombëtar (neni 16), i cili harton statutin, rregulloret e Urdhrit, si dhe Kodin e Etikës dhe Deontologjisë dhe ia propozon ato për miratim Asamblesë Kombëtare.
Janë 3 shkelje ligjore që konstatohen këtu:
1- Këshilli Kombëtar i UP ka miratuar një akt të paparashikuar në ligj.
2- Këshilli Kombëtar i UP ka marrë kompetencat e Asamblesë Kombëtare të UP. Vendimi i Këshillit Kombëtar të Urdhërit të Psikologut Nr. 10, Datë 04.12.2018, “Për Miratimin e Rregullores të Edukimit në Vazhdim” bazohet në nenin 16.2.d) të ligjit 40/2016. Sipas këtij neni 16.2.d) Këshilli Kombëtar harton statutin, rregulloret e Urdhrit, si dhe Kodin e Etikës dhe Deontologjisë dhe ia propozon ato për miratim Asamblesë Kombëtare. E drejta e vetme e Këshillit kombëtar është hartimi i rregulloreve dhe jo miratimi i tyre. Të drejtën e miratimit të rregulloreve e ka Asambleja Kombëtare e UP.
3- Urdhri Psikologut ka marrë kompetencat e Agjencisë së Sigurimit të cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror (ASCK) dhe ka përfituar financiarisht shuma të mëdha parash nëpërmjet trajnimeve e kreditimit të paligjshëm.
Në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 637, datë 27.10.2021, “Për Krijimin dhe Mënyrën e Organizimit e të Funksionimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetsor dhe Shoqëror. Është përcaktuar se është pikërisht kjo agjenci e cila e bën akreditimin dhe ka në fushën e përgjegjësisë së saj, a) vlerësimin e cilësisë, sigurisë dhe akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor shqiptar, publikë dhe private dhe të institucioneve të kujdesit shoqëror; b) edukimin në vazhdim të profesionistëve të shëndetësisë dhe profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror. Dhe ndër të tjera kjo agjenci, j) kryen procedurën e njohjes dhe të regjistrimit të krediteve të edukimit të vazhdueshëm të përfituara nga profesionistët e shëndetësisë dhe profesionistët e shërbimeve të kujdesit shoqëror.
B. Buxheti i UP dhe dëmi ekonomik ndaj anëtarëve të UP
Në fillim UP ka shkelur ligjin duke miratuar Rregulloren e Edukimit në Vazhdim të psikologëve dhe KEVP. Me miratimin e këtij akti të pambështetur në ligj dhe krijimin e këtij komisioni po ashtu të paligjshëm UP ka marrë tagrin ligjor të ASCK duke krijuar strukture paralele të jashtëligjshme. Me anë të KEVP, ka akredituar trajnime dhe ka detyruar psikologët të marrin pjesë në këto trajnime. Evidentohen shkelje ligjore në dy momente:
1) Fillimisht duke marrë tarifa akreditimi duke filluar nga 35.000 lekë prej trajnerëve dhe më pas duke marrë të ardhura prej 200 lekë për cdo kredit. UP ka dalë jashtë detyrimit ligjor për të përfituar të ardhura sipas ligjit i cili përcakton se burimet financiare të UP janë kuotizacionet vjetore, tarifat dhe donacionet. Çdo formë tjetër e përfitimit të burimeve financiare është e paligjshme, sidomos nga pagesat e trajnimeve për kreditet.
2) Duke i detyruar psikologët të marrin pjesë me detyrim në këto trajnime pasi u heq të drejtën e rinovimit të licencës.
C. Lidhur me tarifat e reja për vitin 2024 të publikuara nga UP.
Përveçse në kuotizacionet vjetore nga 6000 lekë, për vitin 2024 kanë pësuar rritje në 8000 lekë. Psikologët ligjorë janë të diskriminuar duke paguar një tarifë vjetore kuotizacioni prej 15.000 lekë prej dy vitesh tashmë. Gjithashtu ka patur rritje të tarifave duk filluar nga 33% deri në 5000% ku një vërtetim nga 200 lekë në vitin 2023 është bërë 10.000 lekë në vitin 2024 me argumentin se këto rritje marramendëse janë për shkak të inflacionit. Ndërkohë që arsyeja e vërtetë është rritja e pagave të UP, ku presidentja aktualisht ka një pagë sa 4-fishi i një psikologu shkollor të cilit i duhet të punojë me fëmijë, adoleshent dhe gjithë problematikat që përfshijnë këtë grup moshor.
D. Mungesa e Transparencës
1- Prej vitit 2019 në faqen zyrtare të UP nuk është bërë publike asnjë mbledhje e asamblesë dhe është mbajtur e fshehtë sa ka qenë numri anëtarëve pjesëmarrës, ndryshimet në statut e rregullore që janë bërë si edhe burimet financiare e shpenzimet vjetore të cilat janë të detyrueshme me ligj.
2- Prej vitit 2021 në faqen zyrtare të UP nuk janë bërë publike raportet vjetore të punës së UP.
3- Nuk janë kryer auditet e jashtme në periudha 3-vjeçare të përcaktuara ne ligjin për UP.
4- Nuk janë publikuar procesverbalet dhe vendimet e Këshillit kombëtar prej muajit qershor 2023.
5- UP nuk i është përgjigjur asnjë kërkese për transparencë të anëtarëve.
Nisur nga këto rrethana psikologët u bashkuan dhe morën disa hapa për të kërkuar transparencë dhe dinjitet në ushtrimin e profesionit të tyre që është shërbimi ndaj individit dhe komunitetit, konkretisht:
- U dërgua një letër me +250 firma me disa kërkesa, ndër to edhe takim me presidenten e UP, kërkesë e cila u injorua nga ajo dhe ktheu pergjigjie publike se letra nuk ishte ne formën e duhur, duke mos marrë në konsideratë kërkesën për bisedë me anëtarët dhe shqetësimet e tyre.
- Me pas u plotësuan 550 kërkesa për mbledhje asambleje te jashtëzakonshme.
- Presidentja në atë kohë (sot ish president e shkarkuar nga asambleja konform ligjit) dërgoi një email ku na ftonte në takim si të donim, ku të donim, vendin ta përcaktonim ne asambleja, me kamera, pa kamera, edhe nëse nuk do të plotësohej 1/3 e anëtarëve për mbledhjen e asamblesë së jashtëzakonshme e thirrur nga vet asambleja konform ligjit për funksionimin e UP.
- U mblodh Asambleja më 27.01.2024.
- Presidenti (sot ish presidenti) nuk erdhi në asamble, ndryshe nga sa njoftoi publikisht.
- Në asamble u propozua dhe u miratua nga anëtarësia në mënyrë unanime shkarkimi i presidentit të Urdhrit të Psikologut Znj. Valbona Treska.
- Kjo Asamble e jashtëzakonshme u ndoq dhe u ligjërua nga noteri i shtetit dhe i gjithë dokumentacioni i’u dërgua Urdhrit të Psikologut dhe Ministrive përkatëse të cilat kanë përfaqësues në këshillin kombëtar.
- Më pas (ish presidenti) sërish publikoi një letër duke deklaruar se 550 kërkesat nuk janë dërguar në formën e duhur, duke injoruar sërish përmbajtjen e atyre kërkesave.
- Këshilli Kombëtar duhet të mblidhej dhe të shpallte të përfunduar mandatin e presidentit të UP (sot ish-presidentit). Mbledhje për të cilën anëtarësia akoma nuk ka njoftim e përgjigje.
- Anëtarë të këshillit kombëtar janë edhe katër përfaqësues të ministrive me të cilët kemi korrespodencë mbi gjithçka ka shqetësuar komunitetin e psikologëve, por as ata nuk kanë mbajtur një qëndrim mbi këto shqetësime edhe pse e kanë detyrim ligjor pasi përfaqësojnë ministritë përkatëse.
- Në daljet publike ish-presidenti i UP sërish ka përbaltur vullnetin e më shumë se 1/3 të anëtarësisë, duke bërë edhe deklarata shantazhuese e duke përmendur edhe emrin Tuaj I Nderuar Kryeministër.
E. Nisur nga Reagimet e mësipërme Asambleja me vullnetin e rreth 550 psikologëve u mblodh sërish më 17. 05. 2024 dhe zgjodhi si president të Urdhrit të psikologut Z.Altin Nika.
F. Gjithashtu janë realizuar komunikime me të gjitha ministritë e linjës, në mënyrë që të reagonin dhe vepronin mbi paligjshmërinë me të cilën po vepron Z. Valbona Treska, por nuk kemi marrë asnjë reagim.
Me qindra psikologë u bashkuan në mënyrë vullnetare duke ndërmarrë hapa ligjor, për diçka që ata e çmuan të drejtë, pasi përreth 7-të vite ishin dëmtuar personalisht dhe profesionalisht nga keqzbatimi i praktikave ligjore në UP.
Ju bëjmë thirrje me përulësi të merrni parasysh peshën e situatës dhe të merrni masa vendimtare në adresimin e sfidave të shumëanshme me të cilat përballet Urdhri i Psikologëve si një ent i rregulluar me ligj. Ndërhyrja juaj është thelbësore për rivendosjen e rendit ligjor, transparencës dhe drejtimit etik brenda profesionit të psikologjisë në Shqipëri për të mirën e praktikuesve dhe publikut të cilit i shërbejmë.
Ne e vlerësojmë vëmendjen tuaj për këtë çështje dhe me respekt kërkojmë ndërhyrjen tuaj të menjëhershme për të adresuar këto çështje kritike.
Sinqerisht,
Psikologët e Shqipërisë
Signatures: 348Next Goal: 500
348
500
Signatures