164 do të jenë të dënuarit që do të lënë qelinë, pasi Kuvendi të miratojë projektin e qeverisë për amnistinë.
Detajet i dha në Komisionin Parlamentar të Sigurisë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
“Amnistohen të gjithë ata të cilët deri në datë 30/09/2019 kanë një vendim të formës së prerë dhe pavarësisht nga koha e mbetur e dënimit janë dënuar me këtë vendim për 2 vjet për burrat dhe 3 vjet për gratë dhe të miturit ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë duke përfshirë gjobën. Kategoria tjetër që përfiton janë të dënuarit me burgim të cilët deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në dy vjet për meshkujt dhe 3 vjet për femrat. Amnistohen femrat e dënuara, të cilat në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë mbi moshën 50 vjeç. Amnistohen meshkujt të cilët në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë mbi 60 vjeç. Amnistohen personat e dënuar me burgim të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë nën moshën 18 vjeç”, tha Gjonaj.
“Sipas analizës që ne kemi kryer, rezulton që përfitojnë 164 të dënuar: 141 janë meshkuj dhe 22 janë femra. Njëri është i mitur”, shtoi ministrja.