Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë rregulloren e re, sipas të cilës çmimi i sigurimit të detyrueshëm të mjeteve do të jetë i ndryshëm në varësi të disa faktorëve të rrezikut.
Drejtoreshae Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Mimoza Kaçi tha se faktorët e rrezikut do të grupohen në shtatë kategori, duke nisur nga historiku i dëmeve, apo siç njihet ndryshe parimi i bonus-malus. Kjo do të thotë se shoferët që shkaktojnë më pak dëme do të paguajnë çmim më të ulët, ndërsa ata që shkaktojnë më shumë dëme do të paguajnë prim më të lartë.
Për këtë është krijuar baza e të dhënave në autoritet, që furnizohet me informacion për dëmet nga shoqëritë e sigurimeve dhe, sipas saj, po punohet që edhe shoqëritë të kenë akses në këtë informacion për dëmet e një drejtuesi.
Faktorët e tjerë do të jenë fuqia motorike e mjeteve (sa më i lartë kubikazhi i mjetit, aq më i lartë primi i sigurimit; mosha e drejtuesit (primi do të jetë më i lartë për moshat më të reja, me nivelin më të larta për moshat18-21 vjeç); eksperienca në drejtimin e mjetit; pronësia e mjetit (në varësi të faktit nëse është në pronësi të një individi apo subjekti, ku mjeti mund të përdoret nga disa drejtues); qarku i regjistrimit të mjetit qarqet me numrin më të madh të dëmeve do të kenë koeficient rreziku më të lartë dhe vjetërisa e mjetit (mjetet më të vjetra do të kenë prim të lartë).
Rregullorja e re do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2025 dhe sipas drejtueses së AMF-së, sigurimi i diferencuar do të ndikojë në ndërgjegjësimin e drejtuesve.
“Periudha deri në fund të vitit do të shërbejë edhe për ndërgjegjësimin e qytetarët, për të mirat që ata kanë me këtë sistem të rëndësishëm të sigurimit të mjeteve. Zbatimi i rregullores së re do të nxisë sjellje më të kujdeshme në drejtimin e mjeteve, sepse çdo dëm i shkaktuar do t’i ndikojë në çmimin e policës në vijim,” tha Kaçi.
Sigurimi i makinës nuk do të kushtojë më njëlloj për të gjithë
Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) miratoi në shtator rregulloren “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Rregullorja e re sjell zbatimin e parimit të bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm, që parashikon çmim më të lartë për drejtuesit që shkaktojnë dëme, por njëkohësisht sjell edhe disa faktorë shtesë që faktorizojnë në prim rrezikun më të lartë ose më të ulët për dëme. Parimi i bonus-malus parashikohet në ligjin “për sektorin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që hyri në fuqi në vitin 2021. Megjithatë, ligji përcakton se bonus-malus nuk është i detyrueshëm, por si një faktorët e rrezikut që kompanitë e sigurimit mund ta përdorin në llogaritjen e primit.
Në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.
Përveç faktorëve të mësipërm, rregullorja parashikon që shoqëritë e sigurimit mund të zbatojnë edhe faktorë të tjerë risku, të përcaktuara prej tyre.
Këta faktorë risku do të përdoren në përllogaritjen e primit të sigurimit për kategorinë e
autoveturave, në produktin e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë e brendshme ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme), por jo për produktet e sigurimit kufitar dhe të kartonit jeshil.
Shoqëritë e sigurimit do t’i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas metodologjisë së përcaktuar, por janë të detyruara të njoftojnë AMF-në të paktën 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit.
Së bashku me njoftimin për aplikimin e tarifave të reja të primit, shoqëritë e sigurimit duhet të depozitojnë pranë Autoritetit bazën teknike të të dhënave, faktorët e riskut dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e primeve të sigurimit, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë, të paraqitur në formën e një raporti me shkrim.
Autoriteti, në funksion të mbikëqyrjes së veprimtarisë së shoqërisë së sigurimit, mund të urdhërojë rishikimin e tarifave të reja të primeve, nëse konstaton se baza e të dhënave për hartimin e tabelave të primit të sigurimit nuk është e saktë, ose shoqëria e sigurimit nuk ka vepruar në përputhje me parimet aktuariale dhe metodologjinë e përdorur për përfshirjen e faktorëve të riskut të përcaktuar me këtë rregullore.
Shoqëritë e sigurimit nuk mund të aplikojnë tarifa të primit të sigurimit të ndryshme nga ato të
raportuara në Autoritet dhe nuk mund t’i ndryshojnë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik.
Shoqëritë e sigurimit duhet të publikojnë në faqen zyrtare të internetit, gjatë gjithë periudhës së zbatimit, koeficientët e faktorëve të riskut, shoqëruar me raste të zbatimit të tyre në praktikë, si dhe primet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit.
Shoqëritë e sigurimit gjithashtu duhet të mbajnë të afishuara në çdo pikë shitjeje tabelat me primet e sigurimit, të miratuara gjatë periudhës së zbatimit të tyre./Monitor/